Tiranë | Haxhinasto fton investitorët nga Katari në sektorin e energjisë dhe minierave

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Ekonomisë Edmond Haxhinasto, priti një delegacion nga Katari, me përfaqësues të lartë të Agjencisë Shtetërore të Minierave dhe Kompanisë Shtetërore të Energjisë dhe Ujit. Haxhinasto vlerësoi klimën pozitive të bashkëpunimit me Katarin, ndërsa pohoi se ky bashkëpunim do të konkretizohet me projekte të tjera midis qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Katarit. Ministri Haxhinasto përmendi mundësitë për bashkëpunim në projekte të rëndësishëm në sektorët kyç si energjia dhe minierat. Ministri Haxhinasto theksoi se këto janë sektorë me të ardhme e rritje të sigurtë, e cila mbështetet në nevojat aktuale të ekonomisë dhe konsumatorëve vendas, si edhe rritjen e pritshme të kërkesës për energji e produkte minerare si shtysë të rritjes ekonomike në vazhdimësi. “Sektori i energjisë në Shqipëri, është prioriteti absolut i qeverisë sonë, duke marrë në konsideratë potencialin e madh që ka vendi ynë në këtë sektor”- tha ministri Haxhinasto. Për të mbështetur investimet në energjetikë dhe sektorin minerar, ministri theksoi se janë marrë masa të rëndësishme, me qëllim shfrytëzimin sa më optimal të potencialeve që ka Shqipëria. “Parë në këndvështrimin e një rritje të qëndrueshme të kërkesës për energji të rinovueshme, si edhe të projekteve për zhvillimin e strukturës së shpërndarjes nëpërmjet linjave të interkonjeksionit me vendet fqinjë, përkatësisht me Kosovën dhe Italinë, ky sektor krijon më shumë mundësi e besueshmëri kreditimi edhe nga bankat e institucionet financiare ndërkombëtare”- u shpreh ministri Haxhinasto.

Advertisement