Bordi i Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë vendosi sot unanimisht për heqjen e licencës për furnizmin me energji elektrike dhe shpërndarjen e saj për konsumatorin, kompanisë çeke “ÇEZ Shpërndarje”. ERE po ashtu i kërkoi Këshillit të Ministrave të procedojë për shpronësimin e aseteve të kompanisë çeke ÇEZ. Në të njëjtën kohë bordi i komisionerëve miratoi me 4 vota pro dhe 1 kundër Sahit Dollapin si administrator të përkohshëm të Operatorit të Shpërndarjes së energjisë elektrike, i cili do të operojë dhe mirëmbajë asetet deri në ardhjen e një kompanie tjetër. Në nisje të mbledhjes kryetari i Entit, Sokol Ramadani, bëri të ditur se për shkak të mos kryerjes së funksionit bazë të kompanisë ÇEZ që ka të bëjë me importin e energjisë elektrike për furnizmin e qytetarëve, do të shqyrtohet heqja e licencës operatorit të shpërndarjes. “Në shtator, ÇEZ shtyu importin e energjisë, që në fakt ishte detyrë e kësaj kompanie,” tha Ramadani. Sipas tij, megjithëse u bënë përpjekje me Sekretariatin e Energjisë për gjetjen e një zgjidhjeje, ÇEZ nuk kishte ndër mend që të kryente funksionet e tij. “ÇEZ madje na bëri të ditur në shkresa se mund të mos furnizonte qytetarët me energji”, tha Ramadani. Drejtore e Licencave në ERE, Erjola Sadushi, prezantoi edhe raportin e përgatitur nga ERE për aktivitetin e ÇEZ. Sipas këtij raporti, ekzistojnë akte ligjore në fuqi për rregullimin e tregut të energjisë, ku një prej më të rëndësishmëve është ai për furnizimin pa ndërprerje me energji. Sipas Sadushit, me këtë privatizim shteti kishte si qëllim gjetjen e një investitori strategjik, që të menaxhonte në mënyrë eficiente sistemin, ndërkohë që pas privatizimit u miratua dhe deklarata rregullatore. Në bazë të kësaj të fundit ÇEZ duhet të ulte humbjet, duhet të bëhej një studim për borxhet e këqija për vitet 2008, 2009 dhe 2010 si dhe kompania duhet të paraqiste planin e investimeve. Drejtori Juridik në ERE, Eduart Elezit tha se Enti ka të drejtë që të heqë licencën, kur ÇEZ nuk respekton kontratën, duke përmendur se importi i energjisë për të mbuluar humbjet ishte kusht i kontratës.