Tiranë | Dogana tejkalon planin e të ardhurave për Tetor-Nëntor

Drejtoresha e Pëgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali njoftoi se Administrata Doganore realizoi dhe tejkaloi planin e të ardhurave për muajin nëntor, duke arkëtuar 1.3 mld lekë më shumë se muaji nëntor i vitit 2012. Gjatë një komunikimi për mediat Spiropali, duke bërë një rezyme të punës dy mujore tha se, “Në total për dymujorin e parë të ndryshimit të administratës doganore tetor-nëntor 2013, janë arkëtuar 2.2 miliardë më shumë se në të njëjtët muaj të vitit paraardhës, ose 22 milionë dollarë më shumë”. Sipas saj, rezultatet e muajit nëntor që vijojnë ato të muajit tetor të këtij viti, nuk janë një rastësi, por rezultat i frymës së re në qeverisjen e vendit. Si rezultat i riorganizimit të strukturave drejtuese, kthimit në efiçencë të strukturave të zbatimit të ligjit, si dhe te kontrollit të akcizës, Spiropali tha se “vetëm këto dy muajt e fundit kemi zbuluar dhe ndëshkuar një sërë shkeljesh në fushën e doganave që kapin vlerën e rreth 1.7 mld lekëve”. Gjithashtu ajo bëri të ditur se janë hartuar dhe zbatuar një sërë plan-kontrollesh, kryesisht për magazinat fiskale dhe doganore si dhe për procedurat e rimbursimit të akcizës. Sipas saj, janë forcuar dhe intensifikuar marrëdhëniet me komunitetin e biznesit si dhe janë realizuar takime me Dhomën Amerikane të Tregetise dhe me përfaqësues të komunitetit të biznesit të qyteteve krysore në vend. “Po punojmë,- shtoi ajo,- për rritjen e efektivitetit dhe përgjegjshmërisë institucionale dhe krijimin e një ambienti etik dhe profesional në institucionet doganore me qëllim përmirësimin e imazhit të administratës doganore përballë publikut të gjerë”. Në përfundim të deklaratës, Spiropali premtoi se administrata doganore do thellojë luftën kundër evazionit fiskal dhe shfaqjeve korruptive, si dhe në të njëjtën kohë do intesifikojë dialogun me komunitetin e biznesit dhe komunitetin e gjerë, për të rritur në maksimun transparencën. “Synimi ynë është modernizimi i administratës doganore për ta kthyer atë në një administratë të mirëfilltë europiane,” u shpreh ajo, ndërsa i bëri apel opinionit publik të denoncojë shfaqjet korruptive në numrin jeshil: 0800 22 22.

Advertisement