Tiranë | Zaganjori: rruga për të luftuar korrupsionin, transparenca dhe analiza e vendimeve

alt

Kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori tha se rritja e transparencës dhe analiza e vendimeve është rruga që duhet të ndiqet për të luftuar korrupsionin në drejtësi. Gjatë një konference shtypi, ku bëri një ekspoze të punës se Gjykatës së Lartë, Zaganjori tha se, “gjatë rrugëtimit tim në krye të këtij institucioni kushtetues është rritur ndjeshëm numri i çështjeve të gjykuara, edhe pse na është trashëguar një volum i madh pune”. Kreu i Gjykatës së Lartë pranoi se në sistemin e drejtësisë ka probleme. Zaganjori foli dhe për emerimet në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, duke deklaruar se, duhen forcuar kriteret e përzgjedhjes. “KLD është kuvendi i gjyqtarëve dhe prandaj ata janë edhe zgjedhës të zërit të tyre, tha Zaganjori. Zaganjori, e cilësoi mashtrim përmendjen e emrit të tij në videon e publikuar nga emisioni “Fiks Fare”, ndërsa kërkoi që Prokuroria të kryej një hetim të plotë për rastin në fjalë. “Rasti në fjalë është një mashtrim ekstremist i trashë, prokuroria të zhvilloi një hetim të plotë dhe të shpejtë. I mirëpres Kritikat dhe jam i hapur për sygjerime në luftën e medias për të zbardhur korrupsionin në drejtësi për të cilin pohoi që ka. Por siç jam i sigurtë që ka korrupsion në Drejtësi, jam po aq i sigurtë se po të përgjohen të gjitha tavolinat në kafenet pranë gjykatave, aty mund të përmenden dhe kryetarë shtetesh të të gjithë botës”, theksoi Zaganjori. “Së pari, unë jam kryetari i Gjykatës së Lartë, kur marr pjesë në gjykim, e unë drejtoj vetëm kolegjin. Kam marrë shumë pak pjesë në gjykimet civile, për shkak të angazhimeve që kam pasur, dhe nuk kam gjykuar absolutisht asnjë çështje penale. Është mashtrim i pastër komplet”, theksoi Zaganjori, ndërsa shtoi se për rastin në fjalë vendimi i gjykatës është për mospranim të çështjes, duke e hedhur poshtë edhe pretendimin e personave në video. “Personat në video, siguroi ai, absolutisht që nuk i njoh. Kam ushtruar profesionin e pedagogut, dhe më përshëndesin njerëz gjithandej, por jua them me sinqeritetin më të madh, këta persona nuk i njoh. Mund të verifikohet me telefona, kontakte, kudo. Nuk kam qenë në trupin gjykues dhe nuk kam të drejtë të influencoj në vendimet e trupit gjykues. Unë nuk planifikoj gjykimet, kam vetëm një urdhër për gjykimin me procedurë të përshpejtuar të çështjeve”, deklaroi kryetari i Gjykatës së Lartë. Zaganjori, po ashtu i paraqiti mediave edhe vendimin e gjykatës së Lartë lidhur me çështjen në fjalë. Gjatë konferencës Kryetari i Gjykatës së Lartë vlerëson përpjekjet e medias për të luftuar korrupsionin në Drejtësi, dhe i kërkoi Prokurorisë hetimin e plotë të çështjes në fjalë. Në përfundim Zaganjori u bëri apel qytetarëve që të denoncojnë çdo rast korrupsioni në sistemin e drejtësisë, dhe i siguroi ata se çdo pretendim do të verifikohet.

Advertisement