Tiranë | Celet “Java Italiane”

Kryeministri Edi Rama ftoi sot investitorët italianë të rrisin fluksin e investimeve të tyre në Shqipëri.

Duke marrë fjalën në ceremoninë e çeljes së Javës Italiane në Tiranë, kryeministri Rama u shpreh kritik, se megjithë dëshirën e mirë për bashkëpunim mes palëve, shifrat e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare me Italisë, e rendisin Shqipërinë të fundit mes vendeve të rajonit. Kryeministri u ndal tek angazhimi i qeverisë për nxitjen e klimës së biznesit vendas dhe të huaj dhe krijimin e perspektivave të reja për të, përmes krijimit të strukturave të posaçme, si Këshilli Ekonomik Kombëtar, ndërsa është në formim e sipër Këshilli Kombëtar i Investimeve. Kryeministri vuri në dukje angazhimin e qeverisë, se krahas interesimit për biznesin fason, të nxisë investimet italiane edhe në sektorin e energjisë, të minierave, turizmit e veçanërisht bujqësisë. “Momenti kur investitorët italianë do t’i kthejnë realisht sytë nga bujqësia dhe do të shohin nga afër potencialin e madh të zhvillimit dhe përfitimit në këtë sektor ne do të kemi të njëjtin efekt zinxhir si në sektorin e manifakturës”, tha Rama. Presidenti i Senatit Italian, Pietro Grasso, nga ana e tij, kërkoi nga qeveria shqiptare dhe organet e drejtësisë një angazhim më të thellë e më të vendosur për garantimin e konkurrencës së ndershme për biznesin. Ai shtoi se “Sipërmarrësit italianë janë vendosur këtu jo vetëm për të nxjerrë jashtë kufijve të tyre produktin e tyre, por edhe të filluar aktivitete te reja në nje treg si ky që ështe treg i ri, i cili ofron potenciale të mëdha zhvillimi ekonomik dhe tregtar”. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj deklaroi se Shqipëria ka potenciale për t’u zhvilluar, ndërsa ftoi kompanitë italiane të investojnë në vendin tonë, duke iu ofruar atyre të gjithë mbështetjen e duhur. Guvernatori i Bankes se Shqiperise Ardian Fullani tha se Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar prë të siguruar një ambjent makroekonomik të qëndrueshëm, për të garantuar inflacion të ulët dhe të sigurt finaciarisht.

Advertisement