Tiranë | Rama dhe Meta zhvillojnë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve

Kryeministri i Vendit, Edi Rama dhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta zhvilluan homazhe në kujtim të dëshmorëve të Kombit, me rastin 5-Majit, ditës së Dëshmorëve.

Në përfundim të ceremonisë, Kreu i Kuvendit, Ilir Meta u shpreh se 5 Maj është një ditë e cila duhet të na bashkojë dhe të na përul përpara dëshmorëve të kombit të cilët sakrifikuan jetën e tyre për t’i dhënë një të ardhme kombit tonë. Kryetari i Kuvendit, njëherazi dhe Kryetar i LSI-së kujtoi se ky 5 Maj vjen në prag të 70 vjetorit të Çlirimit të Atdheut dhe i jep një veçanti edhe më të madhe kësaj dite. Kryeparlamentari shtoi se, përulja i shkon të gjithë dëshmorëve, por në veçanti edhe atyre që u kthyen në simbol të çlirimit të vendit. Të pranishëm në aktivitet veç Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, ishin dhe Ministrja e Mbrojtjes , Mimi Kodheli, Kreu i Forcave të Armatosura Shqiptare, Jeronim Baze, Prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi, po ashtu edhe personalitete të huaja, si Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, apo Ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicolas Cannon.

Advertisement