Tiranë | Cani: Jemi optimistë për gjallërimin e ekonomisë

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, gjatë seancës së sotme plenare u shpreh optimist për gjallërimin e ekonomisë shqiptare.
Cani theksoi se rritja ekonomike po jep reagim pozitiv nga tremujori në tremujor. “Ne jemi optimistë se situata e përgjithshme po ndryshon. Po shohim një ekonomi shqiptare që ka nisur të japë shenjat e gjallërimit, ndërsa rritja ekonomike ka filluar reagimin pozitiv me përshpejtimin nga tremujori në tremujor”, u shpreh ministri Cani gjatë prezantimit në parlament të aktit normativ të qeverisë për rishikimin e buxhetit 2014. Duke u ndalur tek shifrat, kreu i Financave tha se janë 3.2 miliardë lekë ose 32 milion dollarë më shumë të ardhuara se programi fillestar, ndërkohë që vetëm si 8-mujor të ardhurat e buxhetit 2014 janë 260 milion dollarë më shumë se të ardhurat e realizuara krahasuar me 8-mujorin e vitit të kaluar, duke shënuar një diferencë shumë të ndjeshme. “Shuma prej 32 milion dollarësh do të shkojë në dobi të qytetarëve dhe të ekonomisë shqiptare. Me këto që thashë ne nuk kemi arritur majat, por me të duam t’u tregojmë mosbesuesve se modeli ekonomik që kemi zgjedhur është ai i duhuri dhe që siguron rritje të ekonomisë dhe nxjerrje të saj nga kolapsi”, u shpreh Cani sot në Kuvend.

Advertisement