Sipas numërimit të votave 73 deputetë votuan pro kandidaturës, nga 76 që morën pjesë në votim, ndërkohë që një deputet votoi kundër, ndërsa dy fletë ishin të pavlefshme. Më parë kandidatura e z. Nishani mori miratim në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat dhe më pas akoma në Komisionin e Ligjeve ku mori 26 firma për t’u paraqitur në Kuvend. Raundi i katërt i votimit për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit nisi rreth orës 17:30 me të gjithë deputetët e pranishëm në sallë, ku opozita deklaroi se nuk do të merrte pjesë në votimin e fshehtë. Pavarësisht kësaj në votim morën pjesë edhe kreu i PBDNJ Vangjel Dule, deputeti i Partisë Socialiste Kastriot Islami dhe përfaqësuesi i grupit nismëtar të FRD Gazmend Oketa. Gjatë seancës u vu re mungesa e ambasadorit të SHBA në vendin tonë, Alexander Arvizu si dhe mungesa e ambasadorit të OSBE-së Eugen Vollfarth, ndërsa ndër të pranishmit ishin ambasadori i BE-së Ettore Sequi, ambasadori italian, ambasadori francez etj. Pas votimit, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, duke uruar presidentin e ri të Republikës, Bujar Nishani tha se “për procedurën e betimit të tij në parlament deputetët do të njoftohen për datën”. Zgjedhja e z. Nishani erdhi pas një procesi të vështirë, ku Kuvendi konsumoi pa asnjë votim tre raundet e para të garës presidenciale, edhe pse me kandidatura joformale, si në rastin e z. Xhezair Zaganjorit dhe formale në rastin e z. Artan Hoxha. Gjatë paradites së sotme procesi i zgjedhjes së presidentit të ri mori një zhvillim të papritur, ndërsa pritej të niste raundi i katërt i votimit në parlament. Kandidati i shumicës, Artan Hoxha, i zyrtarizuar dje pas takimit Berisha-Rama-Meta-Idrizi, njoftoi tërheqjen nga gara, duke pasuar kështu dorëheqjen e gjyqtarit Xhezair Zaganjori, pas raundit të tretë në Kuvend. Pas këtij zhvillimi, mazhoranca njoftoi se kandidati i ri i saj për Kreun e shtetit do të jetë ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, emri i të cilit ishte paraqitur edhe në bisedimet e mbrëmshme.