Tiranë – Berisha, vendi vazhdon të shënojë progres ekonomik

Një fakt të tillë, kryeministri Sali Berisha e ka bërë me dije gjatë një fjalimi të mbajtur në konferencën e Bankës Botërore, duke theksuar se “ekonomia jonë i rezistoi krizës jo se jemi një segment i vogël i ekonomisë botërore, por se ajo funksionon mbi parime të shëndosha”. “Ekonomia jonë i rezistoi krizës edhe sepse asnjë investitor i huaj nuk është larguar nga Shqipëria. Po, ka patur një ulje të tyre sepse kjo ka qenë e natyrshme në këtë furtunë financiare që ndodhi”, tha më tej kryeministri. Duke shtuar në fund se “me konsolidimin e shtetit ligjor, luftën me zero tolerancë ndaj korrupsionit si dhe reformat e qeverisë për dixhitalizimin e sistemeve dhe arsimin, ky vend do të udhëtojë drejt vendeve të zhvilluara, më shumë nga sa e imagjinojmë të gjithë”. “Shqipëria më shumë se çdo vend tjetër ka nevojë për investime të huaja dhe në këtë kontekst, anëtarësimi në NATO shënon një kthesë të rëndësishme dhe historike në besimin e investitorëve në vendin tonë”. Kështu është shprehur kryeministri Sali Berisha lidhur me çështjen e investimeve të huaja gjatë konferencës së Bankës Botërore. Sipas tij, potencialet e vendit janë shumë të mëdha në këtë aspekt, “ndaj ne kemi punuar me Bankën Botërore për të vendosur standardet më të mira dhe një klimë biznesi sa më të përshtatshme”. “Nëse kthejmë kokën 20 vjet më parë, nuk ka asnjë vend në rajon që të ketë një progres kaq të madh, mjafton të përmendim që ka një 2-fishim të eksporteve “Made in Albania”, – u shpreh Berisha. Duke shtuar më tej se stabiliteti makroekonomik i vendit është një faktor dhe kusht tjetër madhor dhe themelor për një zhvillim të shpejtë dhe të qëndrueshëm.

Advertisement