Tiranë | Berisha: pucistët kanë dëmtuar vendin në sytë e botës

Në mbledhjen e Komitetit ndërministror të integrimit, kryeministri Berisha theksoi se grushti i shtetit ka ndikuar negativisht në imazhin e vendit. “Këta puçistë i kanë bërë vendit një dëm në sytë e mbarë botës shumë të rëndë. Ata e listojnë Shqipërinë në vendin ku tentohen grushte shteti dhe kjo është një vulë e zezë në imazhin e këtij vendi por që ne me përpjekje do të bëjmë çdo gjë ta kapërcejmë” theksoi Berisha. Gjithashtu kreu i qeverisë theksoi se 21 Janari dëshmoi forcën e ligjit për të gjithë ata të cilët me një tentativë të shëmtuar kriminale donin të përmbysni qeverinë me dhunë. “Nga ana tjetër kjo mbetet një datë e zezë në historinë kombëtare, kur një grup puçistësh bënë gjithçka për të përmbysur një qeveri legjitime që ka anëtarësuar Shqipërinë në NATO, hoqi vizat për qytetarët shqiptarë një arritje madhore për vendin. 21 Janari dëshmoi forcën e ligjit dhe funksionimin e shtetit ligjor në këtë vend, dëshmoi se një pushtet nuk mund të rrëzohet kurrë”, theksoi më tej Berisha. Ndër të tjera kryeministri i vendit bëri të ditura ndryshimet qeveritare që pretendonte të realizonte opozita. “Në vend të zotit Lulëzim Basha, do të ishte Tom Doshi; në vend të zotit Bujar Nishani, do të ishte Spartak Ngjela etj.” Më tej kryeministri Berisha shtoi se se përpjekja për të pushtuar institucionet mori kundërpërgjigjien më të fuqishme, duke iu dëshmuar shqiptarëve dhe mbarë botës se ato funksionojnë siç duhet. “Iu tregoi se ky vend ka shtet dhe ka ligje, mbi të cilët nuk kalon dot askërkush dhe kjo është ana tjetër e medaljes, mbi bazën e së cilës ne kemi gjithë potencialin për të rikuperuar dëmin e bërë”, shtoi kreu i qeverisë.

Advertisement