Tiranë | Berisha: PD, fillim të ri të fuqishëm

Kryetari i dorëhequr i PD-së, Sali Berisha ka uruar pasuesin e tij, Lulzim Basha për fitoren në këto zgjedhje, duke e vlerësuar atë si një histori suksesi e të riut shqiptar. Në një konferencë për shtyp nga selia blu, Berisha vlerësoi fitoren e Bashës me një mbështetje plebishitare nga anëtarësia e PD-së, ndërsa nënvizoi se në udhëheqjen e tij, Partia Demokratike do të ketë një fillim të ri të fuqishëm. “Z.Lulzim Basha përfaqëson suksesin e të riut shqiptar, i cili në një moshë shumë të re, gjimnazist do të meritonte të përfaqësonte në KQZ partinë e tij, PD-në, në zgjedhjet e para pluraliste të vendit. Më pas si qindra të rinj shqiptar që dolën në liri, studioi në një nga universitetet më të njohura të Europës”, tha Berisha. Duke i bërë edhe një rezume jetës politike gjatë këtyre viteve të z.Basha, Berisha tha se “Lulzim Basha është historia e vërtetë e suksesit të vërtetë të shkëlqyer të PD-së. Ai përmbushi me një vendosmëri, aftësi dhe përkushtim të madh çdo mision që iu ngarkua. Së pari, Rrugën e Kombit, u emërua Ministër për atë mision dhe e realizoi në mënyrë të shkëlqyer. U emërua në krye të diplomacisë shqiptare kur vendi po bënte çdo përpjekje për anëtarësim në NATO, fitoli simpatinë, respekti dhe dashurinë e kolegëve të tij dhe u shndërrua në një promotor të vërtetë të këtij procesi. U emërua në krye të Ministrisë së Brendshme për të përmbushur një premtim elektoral konkret të heqjes së vizave me BE-në. Është ministri dhe personaliteti që së bashku me shumë të rinjtë shqiptarë mbërritën në Bruksel si maratonomak i heqjes së vizave për shqiptarët.U caktua nga PD për të garuar për Bashkinë e Tiranës, mundi Kryetarin e PS-së dhe Kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe drejton sot Bashkinë e Tiranës”, theksoi ai. Më tej, ne fjalën e tij, Berisha vlerësoi edhe procesin e votimit për kreun e ri të PD-së, duke shtuar se ai ishte një provë që demokratët e kaluan në mënyrë të shkëlqyer. “Partia Demokratike është parti e vlerave, parimeve, më të shkëlqyera, më të larta dhe ajo jo se ka pasur shkop magjik, por se ka pasur një program me vlera dhe parime. PD-ja ka arritur të shënojë në biografinë e saj suksese dhe arritje të mëdha. PD-ja ka mbetur në Europën ish-komuniste forca e themeluar në vitet 90 më e fuqishme. PD-ja faktoi dje para shqiptarëve se është një forcë e vlerave. Dje votuan mbi 41 mijë anëtarë duke befasuar, duke dëshmuar që pavarësisht nga rezultati i 23 qershorit demokratët mbeten të pathyeshëm. Ndaj dhe unë do të shpreh edhe mirënjohjen time më të thellë ndaj tyre”, u shpreh Berisha. Gjithashtu Berisha, vlerësoi edhe ministrin aktual të Transporteve, Sokol Oldashin, për rolin e tij në këtë garë. “Roli i Olldashit është shumë i madh.Olldashi është deputet i PD-së dhe çdo deputet i PD-së, ka një rol shumë të madh në parlamentin shqiptar.Beteja e fillimit të ri, kërkon një mbështetje të fuqishme, një opozitë më të fuqishm në parlamentin shqiptar”, përfundoi Berisha.

Advertisement