“Vetëm gjatë muajit gusht 2009, eksportet e vendit tonë kanë rënë me 8% krahasuar me gushtin e vitit 2008. Muaji gusht ka shënuar një rënie akoma më të ndjeshme të eksporteve krahasuar me muajin korrik të po këtij viti, rënie e cila kap shifrën 26%. Sektorët që kanë vuajtur më shumë nga rënia e eksporteve janë sektori i tekstileve si dhe ai i mineraleve”, raportoi shifrat më të fundit mbi këtë tregues Beqja. Ai vuri në fukje edhe faktin se fatkeqësisht, jo vetëm eksportet, por edhe importet kanë shënuar një rënie, duke dëshmuar situatën e vështirë ekonomike të vendit. “Në gusht të 2009, eksportet kanë mbuluar vetëm 21 % të importeve, duke shënuar mbulimin më të ulët në 8 muajt e parë të vitit. Në sektorin e ushqimeve, importet janë 10 herë më të larta se eksportet. Nëse do të vazhdohet me këtë ritëm deficiti tregtar do të jetë në nivelin më të ulët që prej vitit 2002”, tha ai. Sipas tij, të gjitha këto të dhëna dëshmojnë situatën e vështirë ekonomike që po kalon vendi ynë, situatë e cila është shumë larg rritjes ekonomike prej 5% që propagandon qeveria. “Këto vështirësi ekonomike, të paralajmëruara muaj më parë nga Partia Socialiste, janë thelluar edhe më tej si pasojë e shpenzimeve pa kriter të qeverisë Berisha gjatë fushatës elektorale, shpenzime të cilat zbrazën buxhetin e shtetit, me një qëllim të vetëm, atë elektoral. Në të njëjtën kohë, injorimi i plotë që qeveria e Sali Berishës dhe zëvendësit të tij Ilir Metës po i bëjnë kërkesave të përfaqësuesve të fasonistëve dhe ndërtuesve, të cilët sot përfaqësojnë sektorët më në krizë të ekonomisë shqiptare, është shenja më e qartë se kjo qeveri nuk ka as më të voglin interes për të rimëkëmbur ekonominë shqiptare”, përfundoi deklaratën e tij Beqja.