Tiranë | Basha u kërkon liderëve të PPE mbështetje për statusin kandidat

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, mori pjesë të enjten në samitin e Partisë Popullore Europiane. Në nisje të samitit, kryetari në detyrë i PPE dhe kryetari i grupit të PPE në Parlamentin Europian, z. Joseph Daul, bëri prezantimin formal të kryetarit të ri të PD, Lulzim Basha. Në bisedat që zoti Basha zhvilloi me personalitete të larta të BE dhe drejtues të qeverive pjesëmarrëse në këtë samit, si presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy, presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barosso, kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, kryeministri i Suedisë, Fredrik Reinfeldt, zëvendës-kancelari austriak, Michael Spindelegger, kryeministri i Hungarisë, Victor Orbán, kryeministri i Greqisë, Antonis Samaras, zëvendës-kryeministri italian Angelino Alfano etj, u ka kërkuar mbështetje për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë në muajin dhjetor, sikundër i ka garantuar se opozita do të bëjë gjithçka për hapjen e shpejtë të negociatave për anëtarësim. “Kam kërkuar pikë së pari mbështetjen nga të gjitha partitë simotra në pushtet, duke nisur me kancelaren Merkel dhe më të gjithë udhëheqësit e tjerë të qeverive apo koalicioneve të djathta në BE, për të konfirmuar rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian, për statusin e Shqipërisë si vend kandidat për anëtarësim në BE si dhe vendosmërinë e PD, që edhe në opozitë, të vazhdojë të kontribuojë në të gjithë forcat dhe mënyrat, për përshpejtimin e trajektores europiane të vendit dhe hapin tjetër në këtë trajektore, që është hapja e negociatave”, tha Basha. Zoti Basha i ka njohur drejtuesit e qeverive të vendeve anëtare të BE dhe krerëve të Unionit Europian me situatën në Shqipëri, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në shpërfilljen që maxhoranca po i bën shtetit ligjor, vlerave të gjithpërfshirjes dhe dialogut. “Në takimet dypalëshe bëra një prezantim të situatës politike në vend, veçanërisht për shqetësimet tona edhe në këtë fazë të hershme të maxhorancës së re, për shpërfilljen totale të parimeve të shtetit ligjor, për një fushatë kundër kushtetutës, ligjshmërisë, ligjit, vlerave të konsensusit, gjithpërfshirjes dhe dialogut si dhe për disa prej shqetësimeve që kanë të bëjnë me vijmësinë dhe stabilitetin e administratës publike dhe stabilitetin e trupave të veçantë që kanë të bëjnë me shtetin ligjor, me zbatimin e ligjit, siç është policia, institucionet e pavarura dhe frymën konfliktuale, në raport me to”, tha Basha. Ndërsa në takim, çështje kryesore ka qenë kriza ekonomike dhe financiare me të cilën përballet BE, zoti Basha shprehu shqetësimin, për faktin se qeveria në Tiranë po minon arritjet ekonomike të vendit dhe po cënon stabilitetin makro-ekonomik. Zoti Basha ka bërë të ditur se opozita është e angazhuar të bëjë transparencën e akteve antiligjore dhe antikushtetuese që ka ndërmarrë qeveria dhe maxhoranca e re, mes të cilëve është dhe akti normativ për buxhetin, i cili në kundërshtim me ligjin, i hap rrugë marrjes së borxhit për shpenzime operative dhe jo për investime.

Advertisement