Tiranë | Basha: Të enjten protestë, kërkojmë dorëheqjen e qeverisë

Foto Arkiv

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kërkoi sot gjatë një konference për shtyp dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, dhe qeverisë së drejtuar prej tij. Basha u shpreh se, ditën e enjte opozita do të nisë një sërë protestash, deri në dorëheqjen e kreut të qeverisë. “Avioni i radhës i drogës nuk u ngrit, siç janë ngritur të tjerë pas tij, nga Gjadri, Kardhiq. Po të ishte nisur, po të mos kishte pësuar avari, sot do ishim sërish në një beteje të madhe përballë një kryeministri deh një qeverie bojë dalë, e cila do të tallej sërish nga akuzat e opozitës. Po mos të ishte prishur njëra nga fuoristradat e drogës, do kishte ikur dhe ajo bashkë me makinat e tjera. Por faktet u lidhën në atë mënyrë sa të mos linin asnjë shteg trafikut të drogës”, tha Basha. “Avioni i drogës iu ra në prerë, droga iu ra në derë. Dorëheqja e kryeministrit është e nevojshme, trafiku është bërë normal. Dorëheqja e qeverisë do ishte normale, për publikun sa i takon kësaj ngjarje të jashtëzakonshme. Kryeministri nuk foli për dorëheqje, madje nuk foli as me ndjesë, për të gjitha turpet që foli për avionët fantazim. Tani që iu plasi në kohë, Rama dhe Tahiri flasin se ndaluan dhe bënë një operacion të suksesshëm. Folën për bllokimin e dhunshëm të mediave, folën dhe po flasin me presione dhe kërcënime që po u bëhen mediave, gazetarëve, për t’u mbyllur gojën dhe t’u bëjnë iso. Kështu kanë bërë që prej fillimit, heshtën, refuzuan, u tallën me akuzat tona. Nuk lëvizën gishtin për të mbrojtur dëshmitarët, por i lanë të terrorizoheshin. Ata heshtën, sepse e dinin”, tha Basha. Basha u shpreh se, “PD do të udhëheqë protestën e pandalshme popullore deri në dorëheqjen e Edi Ramës. Këtë të enjte në orën 10:00 ftojmë qytetarët në një protestë popullore. Të ngrihemi në protestë për të ndalur kursin kriminal të oligarkisë së drogës. Të ngrihemi në këmbë më të bashkuar se kurrë për të çuar në shtëpi qeverinë e narkotrafikut”.

Advertisement