Tiranë | Basha: Në 4 muaj grupi i PD solli modelin e një opozite të fortë

Partia Demokratike zhvilloi sot mbledhjen e parë të grupit parlamentar të PD-së për këtë vit, ku bëri një përmbledhje të punës së grupit parlamentar të PD-së, gjatë këtyre 4 muajve. Basha theksoi se Kuvendi nuk do të katandiset kurrë në një bisht të ekzekutivit. “Brenda 4 muajve, grupi parlamentar i Partisë Demokratike, me cilësi të lartë në sallën e parlamentit dhe në komisionet parlamentare, solli modelin e një opozite të fortë kundër modelit Rama-Meta, me argumente, me arsye, me shprehje të interesit dhe vizionit tonë si parti e vlerave, po ashtu si edhe një opozitë propozuese. Ne ndërmorëm një varg betejash politike dhe ligjore duke nisur me betejën kundër aktit normativ antikushtetues dhe anti-konsensus të dyshes Rama-Meta me të cilën kjo dyshe na postoi shpalljen e luftës dhe zbërjen si vijë politike të saj duke përmbyllur sesionin me debatin e madh për paketën fiskale, buxhetin me 39 amendamentet tona të mbështetura kryesisht në premtimet elektorale të Edi Ramës, refuzimi i të cilave nga kryeministri ishte botërisht në sallën e kuvendit të 39 gënjeshtrave dhe mashtrimeve të tij”, tha Basha. Sipas Bashës, “opozita nuk do të lejojë të kalojë asnjë mashtrim i qeverisë dhe asnjë tullumbace propagandistike”. “Në Kuvend publiku ka parë përplasje mes dy mendësive; Mendësinë e vjetër të kryeministrit dhe bashkëpunëtorë. Grupi ynë do të jetë në ballë të Kuvendit, si opozitë parlamentare, duke shfrytëzuar kapacitetet e deputetëve tanë, do çojmë para betejat tona politike për transparencën, për ligjin, për bashkëpunim e konsensus kundër arrogancës e destruktivitetit të mazhorancës”, tha Basha.

Advertisement