Tiranë | Basha i përgjigjet Ramës: I gatshëm për takim

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është përgjigjur me letër të hapur, thirrjes së Kryeministrit Rama për takim, duke shprehur se është i gatshëm të takohet për çdo problem në interes të vendi. “Por në radhë të parë të diskutohet për pesë prioritetet e marrjes së statusit, por edhe për reformën administrative-territoriale”, kërkon Basha. “Me keqardhje, vërej se në letrën që më keni dërguar nuk ka të reja, përtej qëndrimeve dhe veprimeve të deritanishme të shumicës suaj, në lidhje me reformën administrative-territoriale. Kjo reformë, kërkon si minimum konsensus politik, mes shumicës dhe opozitës dhe si optimum kushtetues, gjithpërfshirje të publikut”, tha Basha. Basha, shtonë duke i kujtuar Ramës se “pavarësisht ngushtimit gjithnjë e më kritik të hapësirës për opozitën në Kuvendin e Shqipërisë, pavarësisht rekordeve të arbitraritetit të mazhorancës dhe fjalorit të padenjë e arrogancës së atyre që kanë për detyrë të japin shpjegime dhe të përgjigjen për shqetësimet që ngren opozita, Partia Demokratike dhe unë i qëndrojmë e do t’i qëndrojmë deri në fund dialogut si vlerë dhe si mundësi e pazëvendësueshme për ecjen përpara të reformave në vend”. Gjithashtu, Kryetari i PD-së Basha, pohon se, detyrohem të ripohoj se opozita, gjithnjë është e distancuar nga çdo lloj teatri politik, kundër interesit dhe të drejtës së qytetarëve për një reformë konsensuale deri në miratimin përfundimtar. “Ne jemi të gatshëm të takohemi në çdo nivel, për çdo problem, në interes të vendit dhe demokracisë”, ka përfunduar Basha.

Advertisement