Zëdhënësja Alma Katragjini tha se 9 prej tyre janë arrestuar pas operacionit të koduar “Kalibrimi”, një bashkëpunim i njësisë Task-Forcë të prokurorisë dhe Seksionit Kundër Korrupsionit në Policinë e Tiranës. Arrestimet janë bërë pas ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës së Tiranës me akuzat për korrupsion pasiv, vjedhje dhe shpërdorim detyre. Personat e arrestuar janë: Roland Çelmeta, zv/drejtori i përgjithshëm i DMK; Moisiu Musabelliu, zv.drejtori drejtorisë rajonale për Tiranën; Kristaq Thanasi, inspektor; Hetem Basho, inspektor; Armand Xhika, inspektor; Armand Shuapi, inspektor; Agron Damsi, inspektor; Sokol Lami, inspektor; është shpallur në kërkim një inspektor tjetër. Policia tha se këto persona në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe të tjerë gjatë 7 muajve të hetimit, kryenin kalibrime fiktive në pika karburanti, furra buke apo dyqane ushqimore, nuk jepnin faturat e TVSH-së, nuk derdhnin të ardhurat në arkën e shtetit dhe kërkonin ryshfete për kalibrimin fals të produkteve që shiten. Sipas policisë së Tiranës, strukturat përkatëse filluan procedimin penal pas kallëzimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë, sipas së cilës dyshohet se këta zyrtarë nuk derdhnin në arkën e shtetit të ardhurat e kontrollit që kryenin sikundër i detyronte ligji. Ndërkohë Ministria e Ekonomisë dhe Energjitikës ka reaguar për arrestimet në drejtorinë e Metrologjisë, e cila është në varësi të kësaj ministrie. “Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka ndjekur me vëmendje ngjarjen e ditës së sotme, ku policia ka arrestuar me akuzën për korrupsion disa zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë dhe Kalibrimit, institucion nën varësinë kësaj ministrie. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës distancohet nga veprimet korruptive të çdo individi, i cili abuzon me detyrën e shtetit. Për METE-n, çdo person mban përgjegjësi individuale për punën dhe veprimet e tij”, thuhet në deklaratën zyrtare të ministrisë. Në të thuhet gjithashtu se, METE do të nisë urgjentisht analizat e duhura jo vetëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë dhe Kalibrimit, por edhe në të gjitha institucionet e tjera të varësisë, duke marrë të gjitha masat e nevojshme, gjithmonë në mbështetje të një shteti ligjor dhe të së drejtës.