Tiranë | Aleanca Kuq e Zi e vetme në zgjedhje

Lideri i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu bëri të ditur vendimin e kuqezinjve për të hyrë të vetëm në zgjedhjet e 23 qershorit. Në një konferencë për shtyp, Spahiu shpjegoi arsyet që i shtynë kuqezinjtë të mos i bashkohen aleancës opozitare “Për Shqipërinë Europiane”, duke theksuar si pengesë kryesore marrëveshjen e PS-së me PBDNJ-në e Vangjel Dules. “Këto ditë nuk kemi reshtur nga negociatat për tu bërë pjesë e një fronti tërësisht opozitar, jo mbi doktrina politike. Personalisht larg çdo paragjykimi kam kontaktuar çdo lider politik të spektrit opozitar. Me bindje të plotë kemi punuar me qëllimin e vetëm për domosdoshmërinë e një rotacioni politik, ku të gjithë kundërshtarët e këtij regjimi të mblidheshin, të bashkoheshin në një kauzë, sjelljen e një filozofie të re që do ndryshonte Shqipërinë. Shqiptarët kërkojnë shpresë, jo ndryshim xhaketash në pushtet. Me këtë qellim propozuam dje disa kërkesa që lidhen me një ndryshim thelbësor të standardeve dhe të ardhmes së Shqipërisë. Në kauzën e AK-së është realizimi i aspiratës për bashkim kombëtar. Për hir të prezencës së një partie greke ne nuk mund të tradhtojmë kauzën e bashkimit kombëtar, se është një kauze e cila nuk mund të tradhtohet” deklaroi Spahiu. Sipas Spahiut, AK synon të maksimalizojë votat për rrëzimin e kryeministrit Berisha, por nuk mund të tradhtojë kauzën e saj për bashkimin kombëtar. Më tej kryetari i AK-së nënvizoi se gjatë negociatave me PS-në nuk ishte arritur marrëveshja për disa nga pikat, me të cilat Aleanca Kuq e Zi kishte kushtëzuar përfshirjen e saj në koalicionet parazgjedhore. Lideri i AK-së theksoi se pas 23 qershorit do të ketë bashkëpunim me partitë e frontit opozitar, “kur partia greke të mos jetë më në parlament me asnjë deputet”.

Advertisement