Tiranë | Alarm në kryeministri, 300 gr tritol në makinën pranë godinës

Mëngjesi i sotëm ka vënë në alarm kryeministrinë, pas një telefonate anonime që njoftonte për prezencën e lëndës eksplozive. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat xheniere që kanë nisur kontrollin e ambienteve të selisë së qeverisë. Alarmi në lidhje me këtë ngjarje është dhënë nga Garda e Republikës që ka njoftuar policinë, që ka rrethuar zonën me shiritin e skenës së krimi. Burime nga policia kanë bërë të ditur se, automjeti është parkuar rreth orës 09:15 minuta dhe gjatë kontrollit të makinës është konstatuar një sasi lënde e huaj që ka qenë në pjesën e poshtme të makinës. Një efektiv xhenier ka kontrolluar makinën e dyshuar pranë kryeministrisë. Makina është e modelit Peugot model 407 ngjyrë gri me targa TR 5066 H. Në orën 09:35 minuta në selinë e kryeministrisë ka mbërritur ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli. Policia dhe Garda e Republikës ka zgjeruar rrethimin e zonës duke bllokuar edhe qarkullimin e automjevete dhe i këmbësorëve. Ndërkaq Kryeministri Edi Rama nuk ndodhet në zyrën e tij, ndërkohë që dje ishte në Itali për një vizitë zyrtare. Një prokuror i Prokurorisë së Tiranës në vendin e ngjarjes së bashku me oficerët e policisë po bëjnë verifikimet për kamerat e sigurisë për të parë si mund të ketë hyrë makina brenda perimetrit të kryeministrisë. Deputeti i PS-së Erion Brace shkruan në facebook se nuk kemi të bëjmë me një alarm fals por lëndë eksplozive. Burime nga Ministria e Brendshme dhe Policia e shtetit saktësojnë se në makinë janë gjetur 300 gr tritol të lidhura me dy celularë. Tritoli ishte vendosur në pjesën e poshme të makinës. Ekspertët e xhenios kanë kryer një shpërthim të kontrolluar të objektit i cili ndodhet brenda makinës gri pranë kryeministrisë. Ndërkaq është identifikuar pronari i makinës si Besnik Rrapo Dervishi, Prefekti i qarkut të Vlorës. Makina në pronësi të prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi mësohet se ishte në përdorim të një punonjësi të kryeministrisë. Gjatë marrjes në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, prefekti Besnik Dervishi dhe personi i cili kishte në përdorim makinën, kanë deklaruar se, nuk e dinë se si lënda eksplozive mund të ketë përfunduar në makinë.

Advertisement