Tiranë | Në Kuvend replika për kallëzimin penal ndaj Imamit

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli sqaroi sot kallëzimin penal të depozituar në prokurori ndaj deputetit të Partisë Demokratike, Arben Imami, ish- ministër i Mbrojtjes duke deklaruar se kallëzimi penal ndaj tij, është një çështje e ligjit dhe aspak një sulm politik. Duke folur në seancën e zhvilluar sot ne Kuvendin e Republikës, ministrja Kodheli tha se, “një kallzim penal mund të niset drejt organeve përgjegjëse në çdo moment, që titullari i institucionit e gjykon të arsyeshme dhe ka bindjen se ka shkelje të ligjit pavarësisht nëse raporti i auditimit ka përfunduar ose jo”. “Në këtë rast auditimi ka përfunduar, madje kallëzimi është më së pari detyrim për çdo qytetar e jo më një funksionari shtetëror që konstaton një akt të kundraligjshëm”, theksoi Kodheli. Sipas saj, nëse Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) pas auditimit që i bën veprimtarisë së një institucioni nuk vendos se duhet të ketë investigime të mëtejshme apo çështja nuk përmban elementë të një procedimi penal, kjo mbetet në juridiksionin e këtij institucioni, KLSH. “Pra, pamvarësisht se KLSH ka bërë kontrollin e vet dhe s’ka konstatuar shkelje, kjo nuk e ndalon këdo institucion shtetëror që me strukturat e tij të brendshme të kontrollojë dhe ushtrojë kontroll mbi të njëjtin objekt apo veprimtari dhe në këtë rast të dalë me konkluzione të ndryshme, me ato të KLSH, theksoi ministrja Kodheli. Më tej, ministrja Kodheli u shpreh se, “nuk isha e papërgatitur për rrënimin e sistemit të funksionimit të ministrisë që drejtojë sot dhe të xhiros së firmave të hedhura pa teklif për të abuzuar me ushtrinë, pronat e saj dhe paratë e taksapaguesve por, e pranoj se ajo që dinim duke e parë qeverinë nga jashtë ishte më pak sesa ajo që po zbulojmë dita ditës duke parë nga brenda gropat e buxhetit dhe shpellat e korrupsionit qeveritar”. Nuk kam qenë e papërgatitur, vijoi ajo, “dhe për reagimin e ish- ministrit, por e pranoj se, më ka habitur niveli i ulët i mbrojtjes së tij. “Duke dashur të mos merret me akuzën sepse s’ka ç’farë thotë, zotëria merret me mua apo kryeministrin Edi Rama, duke marrë rolin e njeriut që po sulmohet jo si një individ i prezumuar si i korruptuar por, si një kundërshtar politik, tha Kodheli. “Nuk ka nevojë të jesh psikolog për të parë frikën në deklarat kërcënuese të ish- ministrit. Cilido do të ishte shumë i frikur po të ishte në pozicionin e tij sot pasi më mirë se kushdo ai e di se ç’farë zullumi apo zullumesh mund të ketë bërë, pamvarësisht luftës imagjinare politike që mendon se është kundër tij, theksoi Kodheli. Në repikën e tij, ish- ministri i Mbrojtjes Imami e ka konsideruar si jo ligjore procedurën e ndjekur për kallëzimin penal ndaj tij. “Ministrja e Mbrojtjes ka bërë kontrolle me nje grup ekspertësh që nuk dihet se ç’farë grupi janë dhe ku janë”, tha Imami, duke shtuar se, ky është një problem i madh pasi nuk mund të vendosen grupe speciale ekspertësh për të hetuar cilindo qytetar”. Duke e konsideruar padinë kunder tij si një sulm politik, Imami tha se, sulmet ndaj meje janë të vazhdueshme prej dy vjetësh. “Qëllimi është sulmi ndaj personalitetit të një njeriu dhe për këtë veproni gabim”, tha Imami.

Advertisement