Vrasja e ish-shefit të komisariatit nr. 6, Dritan Lamaj shkaktoi debate në sallën e Kuvendit mes kryetares Jozefina Topalli dhe deputetit socialist, Taulant Balla. Ky i fundit kërkoi që Kuvendi të mbajë një minutë heshtje në nderim të komisarit të vrarë më 24 shkurt në Tiranë, ndërsa Topalli tha se është ai vetë që duhet t’i kërkojë të falur Dritan Lamajt, pasi nuk ka lënë gjë pa thënë kundër tij. “Ti ke dalë në konferenca shtypi duke sulmuar komisarin që nuk jeton më, ndaj kërko të falur. Ti nuk po vjen më në këtë parlament në zgjedhjet e ardhshme, sado që të shfrysh me mashtrime. Ti nuk ke lënë gjë pa thënë kundër Sali Berishës. Unë përkulem para çdo polici që ka dhënë jetën për rendin e qetësinë, kurse ti nuk ke lënë gur pa hedhur kundër atij komisari. Ku e çon fytyrën ti? Po ku ke fytyrë ti!”, iu drejtua kryetarja Topalli, deputetit Balla, ndërsa i ndaloi fjalën këtij të fundit nga foltorja e parlamentit. Opozita kërkoi që ministri i Brendshëm, Flamur Noka, të japë dorëheqjen pas publikimit të një fotoje ku paraqiten drejtues të lartë të policisë së bashku me Arben Frrokun, i dyshuari kryesor për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamaj. Deputeti i PS-së, Samir Tahiri, tha se me vrasjen e Lamajt policia është ndjerë e tradhtuar, së pari nga eprorët e saj. “Jeni ministri i parë që po varrosni kaq shumë komisarë dhe i fundit në luftën kundër krimit. Jepni dorëheqjen dhe çojini këta të katër para drejtësisë dhe të hetohen për vrasjen e Dritan Lamajt”, iu drejtuar Tahiri ministrit Noka. Sipas tij, katër drejtuesit e policisë kanë lidhje me lëvizjen nga detyra si shef komisariati të Dritan Lamajt. “Tradhtia ka nisur në zyrat e qeverisë për t’i hapur rrugën konsumimit të një krimi”, tha ai. Duke iu referuar dorëheqjes nga hetimi i vrasjes së Dritan Lamajt, të dy zyrtarëve të Policisë, Agron Kuliçajt dhe Tonin Vocaj, deputeti i PS-së, tha se kjo nuk është e besueshme. “Kush beson se ata do të heqin dorë nga hetimi dhe në fakt nuk do t’i imponohen hetimeve”, tha Tahiri.