“Vetëm 24-orët e fundit nga shërbimet e policisë së Kryeqytetit, janë vendosur në total 227 masa administative, kryesisht për moszbatim të sinjalistikës dhe ecje tej normave të lejuara”, bën të ditur policia e Tiranës. Duke vlerësuar situatën e trafikut rrugor në kryeqytet, Policia e Tiranës është e angazhuar maksimalisht për t’u ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës, për një lëvizje sa më normale në rrugë. Sipas një njoftimi për shtyp të Policisë bëhet e ditur se shërbimet e policisë do të ndëshkojnë pa hezitim të gjithë ata drejtues të mjeteve, të cilët shkelin dispozitat e qarkullimit rrugor, si: parkime të gabuara, parkime dyshe, mos zbatim të sinjalistikës, parakalimet e gabuara, qarkullim pa leje drejtimi, për ecje tej normave të lejuara, për përdorim alkooli etj. Policia e Tiranës në vijim të punës së saj, kërkon edhe bashkëpunimin e përdoruesve të rrugës, si të këmbësorëve ashtu edhe të drejtuesve të mjeteve, për respektimin e dispozitave në fushën e qarkullimit rrugor.