Tiranë – 170 pyetje të reja nga KE për Shqipërinë

Ministria e Integrimit, Majlinda Bregu e ka konfirmuar këtë fakt sot në një takim të “Konferencës rajonale mbi menaxhimin e decentralizuar të fondeve IPA”. Bregu u shpreh se dokumentet shtesë nga BE-ja kanë ardhur tre ditë më parë, por nuk i ka cilësuar ato të gjitha si pyetje të reja, por kërkesa informimi që arrijnë në rreth 700 të tilla. Mes pyetjeve të reja është dhe një për vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe ngritjen e komisioneve hetimore, gjë që lidhet direkt me situatën politike në vend. “Ka pyetje të cilën e kemi numëruar si të re që i përket vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për objektin e hetimit të komisioneve hetimore parlamentare. Sigurisht që debatet politike gjatë këtyre muajve kanë bërë që Komisioni të kërkojë edhe këtë lloj informacioni. Një tjetër pyete e re, ka të bëjë me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese i cili është një vendim, apo le të themi emërim i bërë nga presidenti vetëm së fundmi. Sikurse ka kërkesa, që ne i cilësojmë si sqaruese, për të dërguar kodin penal shqiptar në gjuhën anglez”, u shpreh Bregu Ajo theksoi se Ministria ka identifikuar sa prej pyetjeve janë pyetje shtesë, sa janë kërkesat për statistikat, sa janë kërkesa për të dërguar ligje shqiptare në anglisht dhe sa mund janë kërkesa jo vetëm për ligje por edhe për elemente e publikime shqiptare, në të cilat ka referenca për legjislacionin shqiptar dhe situatën në Shqipëri. “Në total ne kemi identifikuar deri tani jo më shumë se 170 pyetje të reja, të cilat s’ mund të quhen shtesë pasi duke iu referuar kohës në të cilën pyetësori është dorëzuar e deri tani ka pasur zhvillime të tjera, për të cilat KE kërkon tani përgjigje”, u shpreh Bregu. Ajo ka informuar se gjatë këtyre ditëve, paralel me mbërritjen e pyetjeve dhe sqarimet nga Komisioni Evropian, kanë mbërritur në Shqipëri dhe misionet e vëzhgimit, të cilat po shohin në terren dhe po marrin informacion për të plotësuar mendimin e tyre, para se të bëjnë avis komunitare. Ajo u shpreh se përgjigjet nga pala shqiptare do të jepen brenda datës 10 qershor.

Advertisement