Festivali Letrar për të Rinj “Tirana 2016”, një projekt i mbështetur nga Bashkia dhe Ministria e Kulturës shpërndua tre çmimet e mëdha në prozë, poezi dhe ese.
Ky është edicioni i dytë i këtij festivali letrar që bashkoi shumë krijues të rinj. Të pranishëm në këtë ceremoni bashkë me krijuesit e rinj nga Shqipëria e Diaspora kanë qenë edhe shkrimtarë e akademikë të shquar. 18 fituesit u shpallën pas një seleksionimi nga garat e mbajtura gjatë ditëve të festivalit, ku kanë marr pjesë qindra të rinj.
Në listën e fituesve përfshihen ata që morën çmimet inkurajuese të publikut, fituesit e seminareve rikrijuese ku janë bashkuar poezia, arti grafik dhe instilacioni.
Zëvendësministri i Kulturës, Zef Çuni u shpreh se “ky festival vjen në vijim të muajit të leximit të librit që ishte tetori, një iniciativë e suksesshme e Ministrisë së Kulturës që u konkretizua me këtë festival”.
Ndërsa, drejtori i kulturës në Bashkinë e Tiranës, Abaz Hado theksoi rolin e mbështetjes së Bashkisë për talentet e reja. “Ne kemi një politikë që synon zhvillimin e një kryeqyteti të mbushur me aktivitete kulturore dhe nga njerëzit që duan të promovojnë talentin e tyre”, tha Hado.
Gjatë ceremonisë u dhanë edhe çmimet e mëdha për krijuesit e rinj, ku me çmime të para përkatësisht në poezi, ese e prozë u vlerësuan Viola Berhani, Bujar Ploshtani, Elona Zeraliu. Ndërsa me çmimet e dyta u vlerësuan Elona Culiq, Xhemile Hoxha, Alban Tufa. Më tej me çmimet e treta u vlerësuan Kiara Lalo, Olgerta Prendi dhe Ardit Pula.