Tiraë – Topi flet për lirinë e mediave në vend dhe për grevën socialiste

Topi u shpreh se media duhet të jetë e aftë të sjellë informacione dhe të tregohet objektive në të gjitha rrethanat. “Ndryshe, tha Topi, do të bënim vetëm leksione për demokracinë dhe jo kontribues të saj”. Ai u shpreh se dhe aktorët institucional duhet të jenë shumë të kujdesshëm që të publikojnë jetën brenda institucioneve. Kreu i shtetit u ndal në zhvillimin teknologjik të medias dhe në krijimin e një elite të re profesionale, sipas standardeve ndërkombëtare. Sa i përket grevës së deputetëve socialistë Topi u shpreh se “Jam për zbatimin e rregullave dhe faktit që gjithçka duhet të jetë brenda rregullave të demokracisë në Shqipëri”. “Pozicionohem brenda rregullave demokratike”, ka preferuar të thotë kreu i shtetit, pa dashur të komentojë më tej qëndrimin e tij mbi grevën e socialistëve. Ndërkaq, në konferencën e organizuar nga Inspektoriati i Lartë për Deklarimin e Pasurive, kreu i shtetit ka apeluar për më shumë besim dhe transparencë të zyrtarëve duke theksuar se lufta kundër korrupsionit është një standard drejt integrimit. “Qytetarët duhet të dinë se kush i drejton. Duhen bërë përmirësime për luftën ndaj korrupsionit”, theksoi ai.

Advertisement