TI: Shqipëria, më pak e korruptuar

Pozicioni i Shqipërisë në renditjen globale të korrupsionit u përmirësua me 22 vende vitin e kaluar. “Transparency international”, organizata më autoritare në botë për vlerësimin e korrupsionit publikoi raportin e vitit 2015, duke e renditur Shqipërinë të 88-n në botë, nga vendi i 110 që ishte një vit më parë.

Të dhënat tregojnë se, ky është përmirësimi më i fortë i renditjes në 10 vitet e fundit, ndonëse këtë vit numri i vendeve të renditura është më i ulët sesa në 2014-n, më konkretisht 167 nga 174 që ishin.

Advertisement

Sipas “Transparency International”, për vitin 2015, Shqipëria ka marrë një vlerësim prej 36 pikësh në kontrollin e korrupsionit, nga 33 pikë që kshte një vit më parë. Metodologjia e vlerësimit jep 100 pikë vendet që kanë zero korrupsion, si dhe 0 pikë ato që kanë një nivel maksimal korrupsioni. Këtë vit, raporti klasifikon 167 vende në të gjithë botën.

Ky është viti i dytë me radhë, që Shqipëria shënon përmirësim në renditjen e korrupsionit. Edhe në 2014-n, vendi u përmirësua krahasuar me një vit më herët, ndonëse me ritme më të ulëta.