Superhiti Gangnam Style i këngëtarit koreanojugor Psy ka qenë videoja më e parë në Youtube për 5 vitet e fundit. Por rekordet janë bërë për t’u thyer dhe Gangnam Style, pavarësisht thuajse 2,895,000,000 shikimeve e humbi kurorën e Youtube ndaj një tjetër video të një kënge tej mase popullore. Bëhet fjalë për kolonën zanore të filmit Fast and Furious 7 “See you again” të realizuar nga Wiz Khalifa dhe Charlie Puth’s që tashmë ka kaluar 2,985,000,000 shikime.

Kënga e tyre sigurisht që bëri bujë edhe për faktin se është një tribut për aktorin e ndjerë Paul Walker që humbi jetën para përfundimit të xhirimeve të filmit. Nëse një person i vetëm do të shihte videon e këngës “See You Again” aq herë sa është parë në Youtube, do t’i duheshin 22.000 vjet. Por mbretërimi i videos më të parë në Youtube mbase do të jetë jetëshkurtër, pasi një tjetër hit po përparon me shpejtësi.

Advertisement

Superhiti i verës “Despacito” nga Luis Fonsi ka arritur 2,5 miliardë shikime dhe nuk po ngadalëson aspak. Pavarësisht se kujt i shkon titulli, lajmi më i mirë shkon për kompaninë Universal Music, e cila zotëron të treja këto këngë.