Themeluesit e “D&G” janë të qartë: Nuk do ta shesim kompaninë as për gjithë paratë e botës

Themeluesit e “Dolce & Gabbana”-s e bënë të qartë se nuk duan që veshjet e saj të nisë t’i krijojë një stilist japonez dhe shpjegojnë përse i kanë refuzuar deri më sot të gjitha ofertat.

Stefano Gabbana dhe Domenico Dolce e nisën në vitin 1985 rrugëtimin e gjatë, që do t’i çonte në majat e industrisë botërore të modës. Ata e vazhduan punën edhe pas vitit 2004, kur i dhanë fund jetesës si çift.

59-vjeçari Dolce shpjegoi në një intervistë dhënë “Corriere della Sera”-s se, as për të gjithë paratë e botës nuk do ta shisnin kompaninë.

Advertisement

“Në kushte të tilla nuk do të ishim më të lirë”,- shpjegon ai.

“Ç’i do ato parà, nuk do t’i marrësh me vete në varr”,- shton stilisti veteran.

Pas dekadash të tëra pune për ngritjen e shtëpisë së famshme të modës në olimpin ku gjendet sot, Gabbana e pranon se nuk ka kohë për ta shpenzuar pasurinë e tij.

“Jam shumë i zënë me punë, – thotë 55-vjeçari. – Nuk më intereson të pasurohem edhe më shumë. Qëllimi im është të jem i suksesshëm”.

Ikonat e modës përgatiten t’i drejtohen New York-ut për një seri shfaqjesh ekstravagante “haute couture”, nga data 6 deri më 10 prill.