“The Guardian” artikull për Tiranën: Veliaj, kryebashkiaku i ri i shkëlqyer

Tirana ka zënë sërish vend në faqet e mediave botërore, të cilat po i japin një vëmendje të madhe transformimit që ka pësuar kryeqyteti nën drejtimin e kryebashkiakut Veliaj.

Për të dytën herë në harkun e një kohe të shkurtër, prestigjiozja britanike “The Guardian” i ka kushtuar një artikull të gjatë ndryshimit dhe vizionit me të cilin kryebashkiaku Veliaj po punon për t’i dhënë Tiranës pamjen e një qyteti europian.

Advertisement

The Guardian bën një pasqyrim të asaj që ndodh sot në kryeqytetin shqiptar dhe sjell në vëmendje disa nga projektet më të rëndësishme që janë zbatuar në Tiranë, duke nisur nga sheshi “Skëndërbej”, Bulevardi i Ri, projekti i shtimit të biçikletave dhe infrastrukturës për to, ndërtimin e shesheve rekreative, apo edhe nismën për të mbjellë 2 milionë pemët e Pyllit Orbital.

Më poshtë artikulli i plotë i The Guardian:

“Ndërtoje, dhe ata do të vijnë”; Tirana, kryeqyteti kulturor kozmopolitan i Ballkanit

Vitet e para të lirisë, pas diktaturës, prodhuan një qytet të çrregullt, të mbytur nga makinat. A mundet kryebashkiaku i ri i shkëlqyer i kryeqytetit shqiptar të krijojë një të ardhme të “dizajnit urban shembullor”?

Nëse ndaloni në mes të sheshit “Skënderbej” në Tiranë dhe bëni një rrotullim 360 gradë, do të shihni ndërtesa të arkitekturës fashiste italiane, ndërtesa me stil komunist, rus dhe kinez, një xhami, një kishë të krishterë ortodokse dhe godinën e qelqtë të “Tirana International Hotel”.

Tirana nuk ndjek modelin e shumicës së qyteteve evropiane. Në mes ka një shesh, të cilin nuk gjen në asnjë vend tjetër, nuk ka rrugë të mëdha tregtare të ngjashme me “Regent Street” apo “Rue de Rivoli”. Nuk ka as rrjete të dyqaneve si “Zara”, “Mango”, “Nando” apo “McDonalds”.

Gjithçka rreth qytetit duket e rastësishme. Por, tani dikush ka marrë përsipër detyrën të vendosë rregull.

Struktura e gjallë dhe kaotike e Tiranës reflekton historinë e saj të jashtëzakonshme. Në vitin 1912, Shqipëria fitoi pavarësinë nga osmanët, për t’u pushtuar pastaj nga fashistët e Musolinit në vitin 1939, e më pas u çlirua nga komunistët, të cilët e shpunë vendin në një regjim shtypës dhe paranojak, nën kultin e personalitetit të Enver Hoxhës. Për 45 vjet, Shqipëria ishte një version i Koresë së Veriut në Ballkan.

Nën qeverisjen e Hoxhës, vendi ishte krejtësisht i izoluar, pasi prishi marrëdhëniet edhe me “shokët” e Moskës dhe Pekinit. Çdokush që përpiqej të largohej u godit si tradhtar. Por, kur regjimi më në fund ra në vitin 1992, duke i hapur derën lëvizjes së lirë dhe tregut të lirë kapitalist, njerëzit – me sa duket – sikur u çmendën.

Shqiptarët emigruan në numër të madh, kryesisht në Greqinë dhe Italinë fqinje. Për ata që qëndruan, gjëja e parë që bënë me pasurinë e tyre të sapokrijuar ishte blerja e një makine. Në vitin 1992 në Tiranë kishte 200 makina, të gjitha të shpërndara për Nomenklaturën e Hoxhës; ndërsa sot ka 200,000 makina.

Gjëja e dytë që ata bënë ishte të ndërtonin, – ndërtuan shtëpi, dyqane, kasolle, kioska, – gjithçka dhe kudo. Meqë nuk kishte tokë private, kjo ishte si një garë e hapur, pati një bum ndërtimesh pa rregull, çka më pas bëri që autoritetet e vendit, e kryesisht të Tiranës, të përballeshin me një qytet të çrregullt, të mbytur nga makinat.

Në 20 vjet, popullsia e Tiranës është katërfishuar, nga rreth 200,000 në 1992 në 800,000 në ditët e sotme – megjithëse shifra jozyrtare thotë se numri i banorëve mund të jetë deri në 1 milion. Mosha mesatare është 27 vjeç; ndërsa Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë, është 38 vjeç. Ai fitoi bindshëm zgjedhjet për kryetar bashkie në vitin 2015 si kandidat i Partisë Socialiste, duke iu bashkuar kryebashkiakëve radikalë të Evropës, si Ada Colau në Barcelonë dhe Virginia Raggi në Romë. Gjëja më e keqe që dikush mund të thotë për të, është se ai është tepër i shkathët.

Nga Edi Rama, ish-kryebashkiaku dhe tani kryeministri shqiptar, Veliaj trashëgoi “Tiranën 2030”, një plan ambicioz për të zgjidhur kaosin urban. I hartuar nga arkitekti italian Stefano Boeri, ai flet për kthimin e Tiranës në “një metropol kaleidoskopik”, i rrethuar nga një pyll orbital me 2 milionë pemë dhe korridore të gjelbra përgjatë tre lumenjve të qytetit. Plani është për të ndërtuar në lartësi, si zgjidhje për popullsinë që sa vjen e shtohet.

Sipas planit që ka krijuar arkitekti, “Tirana 2030” ka tre elementë: një “afresk” metropolitan bazuar në 10 tema kryesore (biodiversiteti, policentrizmi, njohuritë e shpërndara, lëvizshmëria, uji, gjeopolitika, turizmi, qasja, bujqësia dhe energjia); një “atlas” i përbërë nga 13 projekte strategjike të vendosura në peizazhin e vërtetë, dhe një “listë” rregullash të formuluara rreth pesë sistemeve metabolike (natyra, infrastruktura, qyteti, bujqësia, uji).

Ndonëse plani i Boerit për Tiranën duket madhështor dhe disi i turbullt, Veliaj këmbëngul se do të shërbejë për një qëllim praktik. “Ne nuk e përballojmë dot shtrirjen urbane sepse nuk kemi para për të ndërtuar një metro, e cila kushton 300 milionë euro për kilometër”, thotë ai. “Plani është të krijojmë dendësi, por me cilësi”.

“Ne duam të shmangim metodën ‘Corbusier’, për të ndërtuar shumë banesa sociale në periferi, gjë që është një qasje e gabuar nëse duam që njerëzit të jenë pjesë e qytetit”, shton Joni Baboçi, kreu i drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit Urban të qytetit.

Kritikët pohojnë se, me një popullsi urbane prej 10,000 banorë km2, qyteti është tashmë shumë i populluar, dhe se ndërtimi i blloqeve të banesave vetëm do të përkeqësojë problemin e trafikut dhe mbipopullimit. Por, Veliaj e hedh poshtë këtë, duke cituar kërkimet që promovojnë rritjen e përdorimit të biçikletave dhe ecjen në këmbë. Baboçi thekson se në epokën komuniste lëvizja në qytet bëhej pa makina, kurse biçikleta ishte mjeti kryesor i transportit.

Veliaj është pragmatist dhe u fokusua në përmirësimin e gjërave të prekshme për qytetin. Për shembull, ai përmend shndërrimin e Sheshit “Skënderbej”, nga një ishull i madh trafiku, në hapësirën më të madhe për këmbësorët në Ballkan, “në destinacion, e jo në një vend ku thjesht kalohet”.

Po kështu u krijuan sheshe dhe terrene sportive, ndërsa në përpjekje për të zgjidhur problemet me trafikun, u ndërtuan korsi për biçikletat, dhe u bënë përpjekje për përmirësimin e transportit publik. “Sa më shumë projekte si sheshi bëjmë, aq më shumë ato bashkëveprojnë me njëri-tjetrin, duke krijuar një rrjet hapësirash që e bëjnë qytetin më miqësor”, thotë Baboçi. “Sheshi është gjithashtu një sinjal për njerëzit, mbi mënyrën se si mendojmë se duhet të funksionojë qyteti”.

Kryebashkiaku është kritikuar për atë që disa e shohin si një mënyrë oligarkike, nga “lart-poshtë”, të të bërit të gjërave, dhe Veliaj pranon se parapëlqen më shumë të shpjegojë sesa të konsultojë. “E di që tingëllon si klishe, por unë e besoj atë shprehjen ‘Ndërtoje, dhe ata do të vijnë’”, thotë ai.

Ai është veçanërisht krenar për nismën për të nxitur qytetarët që të mbjellin pemë, qoftë për ditëlindjet e tyre, apo edhe në kujtim të dikujt. Pasi objektivi fillestar prej 100,000 pemësh u tejkalua lehtësisht, bashkia ka ngritur një department, i cili synon të nxisë publikun për t’i mbjellë vetë pemët e pyllit orbital.

Si një nga vendet më të varfra të Evropës, Shqipëria nuk është e aftë të bazohet në tregun e hapur, ndaj qyteti duhet të përdorë Partneritetin Publik Privat (PPP) për të financuar projektet e tij, gjë që Veliaj e pranon se ha diskutim. Për shembull, në këmbim të ndërtimit të stadiumit të ri të futbollit, zhvilluesi i projektit u lejua të ndërtojë një hotel 25-katësh pranë tij.

“Unë mendoj se kryetari i bashkisë ka të drejtën të vulosë imazhin e tij në të ardhmen, por shqetësimi i madh është ajo që po ndodh nën sipërfaqe”, thotë Medlir Mema, kreu i hulumtimit në Institutin e Lidershipit në Tiranë. “Shqetësimi nuk është se ne do të kemi një stadium të ri, por ne do të kemi një hotel me një stadium të vendosur në të.”

Rritja e shpejtë e popullsisë ka bërë që Tirana të ketë një numër të paktë shkollash. PPP-të po financojnë një program të madh për të ndërtuar shkolla të reja, disa prej të cilave janë projektuar nga Boeri dhe arkitekti britanik Nicholas Grimshaw. Sipas skemës PPP, zhvilluesit realizojnë projektet, ndërsa qyteti i paguan ato me këste.

Zana Vokopola, drejtore e Institutit të Kërkimeve Urbane në Tiranë, është ndër ata persona që kanë rezerva për përdorimin e PPP-ve për shërbimet publike. “PPP-të përdoren përgjithësisht për ndërtimin e infrastrukturës që gjeneron të ardhura, në këtë mënyrë do të jemi në gjendje të paguajmë borxhin në kohën e duhur”, thotë ajo. “Ato përdoren rrallë për ndërtimin e shërbimeve publike, që zakonisht nuk krijojnë të ardhura, dhe si e tillë borxhi mbetet për gjeneratat e ardhshme”.

Po kështu shtrohen pyetje se nga po vijnë paratë. “Zona të mëdha në Shqipëri janë mbjellë me marihuanë, kështu që ka shumë para që duhen pastruar”, thotë Mema. “Shumë njerëz dyshojnë se pas disa prej këtyre projekteve të mëdha, qëndron një përpjekje për të pastruar paratë, megjithëse nuk mendoj se kjo ka të bëjë me Veliajn”.

Gjergji Bojaxhi, i cili garoi kundër Veliajt në vitin 2015, pohon se “shumica e ndërtimeve në Tiranë nxiten nga paratë e gjeneruara nga ekonomia informale. Në një vend ku sundimi i ligjit dhe sistemi i drejtësisë ka dështuar, pasi është kapur nga klasa politike, pasuria e patundshme është mbreti”.

Megjithatë, Veliaj e hedh poshtë këtë gjë, dhe këmbëngul se gjithë financimi i përdorur në PPP, është subjekt i monitorimit rigoroz, ndërsa përmend atë që e quan “sport kombëtar i cinizmit dhe teorive të konspiracionit”. Gjithsesi, korrupsioni dhe mungesa e transparencës janë përmendur si dy nga pengesat kryesore për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Pavarësisht kritikëve të tij, teksa shëtisim nëpër qytet, të gjithë duan t’i shtrëngojnë dorën Veliajt ose të bëjnë një fotografi me të. Pjesa më e madhe e masterplanit të Boerit mund të përfundojë ashtu si paraardhësit e tij, por ndërkohë, vlerësimi i lartë për Veliajn përpara zgjedhjeve të qershorit, tregon se ai po i bën gjërat siç duhet.

Teksa emigrimi mbetet i lartë, Tirana është e mbushur me të rinj që janë kthyer pasi kanë kaluar disa vite duke punuar apo duke studiuar jashtë vendit. Vetë Veliaj u largua nga Shqipëria 20 vjet më parë për të studiuar në SHBA, duke u kthyer në Tiranë përfundimisht në vitin 2002. Tani ai ka si qëllimin kryesor të tij shkëputjen nga e kaluara kaotike e qytetit dhe kalimin në të ardhmen “përmes dizajnit urban shembullor”.

“Tirana është një qytet i madh dhe i gjallë, i cili është përpjekur të shndërrohet nga qendra e një regjimi të izoluar në kryeqytetin kulturor kozmopolitan i Ballkanit”, thotë ai. “Ne duam ta ndihmojmë të kalojë edhe fazën e fundit të tranzicionit dhe të kompensojmë kohën e humbur…”

“Unë dhe ekipi im e bëmë zgjedhjen tonë ditën kur “fluturuam për t’u kthyer në shtëpi”: ta modernizojmë këtë vend me çdo kusht”.