The Economist | Mos u frikësoni nga cigaret elektronike

Ndalimi i tyre do të shkaktonte më shumë dëm

“Është koha për të ndaluar ‘vaping’,” thotë Lee Norman, një zyrtar shëndetësor në Kansas. Gjashtë njerëz kanë vdekur në Amerikë, siç mendohet nga përdorimi i cigareve elektronike. Më shumë se 450 janë prekur nga një sëmundje e rëndë e mushkërive. Kështu që këshillat e z. Norman mund të konsiderohen të arsyeshme. Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve dhe Shoqata Mjekësore Amerikane bien dakord që 11 milionë përdorues duhet të heqin dorë. Një ide e re po qarkullon, se ‘vaping’ (marrja e nikotinës së lëngshme përmes avullit) është më i dëmshëm sesa pirja e duhanit. Më 11 shtator administrata e Trump tha se synon të ndalojë përdorimin e produkteve të duhanit që avullojnë nikotinë të lëngshme. Ndërkohë që disa politikanë kërkojnë që ndalimi të jetë edhe më i gjerë, të përfshijë të gjitha llojet e cigareve elektronike.

Advertisement

Edhe pse kërkohen më shumë hulumtime, provat e deritanishme tregojnë se vdekjet e fundit nga ‘vaping’ në Amerikë nuk kanë ardhur nga produktet e blera në dyqane të autorizuara por nga kapsulat e keq-modifikuara të shitura në treg të zi. Në pesë nga gjashtë raste, një prej përbërësve të mbushjes është blerë ilegalisht; ndërsa lëngu tjetër i përfshirë është blerë në një dyqan të legalizuar të kanabisit në Oregon. Një teori është se lëngu në kapsula ishte i përzier me vitaminën E. Ky është një lloj vaji që në asnjë mënyrë nuk duhet të hyjë në mushkëri, pasi nëse thithet, shkakton simptomat që janë shfaqur në këto raste.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave në SHBA (FDA), e cila po heton produktet e përfshira, i bën thirrje përdoruesve të mos blejnë produkte që përmbajnë ekstrakte kanabisi, ose ato që shiten në treg të zi. Kjo është një situatë delikate. Kur blini një kapsulë që përmban lëng të palicensuar nga një furnizues i paligjshëm, nuk e keni idenë se çfarë po konsumoni. Kjo është dhe arsyeja pse qeveritë gjithashtu dekurajojnë njerëzit të konsumojnë alkool të prodhuar ilegalisht në mënyrë artizanale, meqë ndonjëherë është vdekjeprurës. Sidoqoftë, ashtu si me alkoolin, rregullatorët duhet të bëjnë një dallim ndërmjet produkteve të paligjshme dhe të ligjshme.

Cigaret elektronike nuk janë të padëmshme. Avujt që thithen kanë nikotinë, e cila krijon varësi. Disa nga kimikatet e tjera në të mund të jenë të dëmshme. Por ‘vaping’ është shumë më pak i rrezikshëm sesa pirja e cigareve tradicionale, të cilat janë një produkt vdekjeprurës. Nëse njerëzit u drejtohen cigareve elektronike si zëvendësues i atyre tradicionale, përfitimet shëndetësore janë potencialisht të mëdha. Pirja e duhanit vret 450,000 amerikanë çdo vit dhe cenon 7 milion njerëz në të gjithë botën. Çdo produkt që largon njerëzit nga cigarja, shpëton jetë.

Shqetësimi më i madh mbi cigaret elektronike është se ato po krijojnë një gjeneratë të re të varur nga nikotina. Disa njerëz që nuk kanë pirë duhan më parë kanë nisur përdorimin e pajisjeve ‘vaping’, duke përfshirë një numër shqetësues të të rinjve. Për shembull, në Amerikë, një e katërta e nxënësve të shkollave të mesme përdorin këto produkte.

Kjo është alarmante, dhe shpjegon reagimin e shumë qeverive në botë, si ajo e Egjiptit, Meksikës, Singaporit, Tajvanit dhe Brazilit, që kanë ndaluar cigaret elektronike. Ndalimi zakonisht shkakton më shumë dëm sesa ndihmon. Ndalimi i cigareve elektronike do të bëjë që përdoruesit të blejnë produkte të paligjshme – që kanë më shumë mundësi t’i helmojnë ata. Pengon, gjithashtu, shumë duhanpirës që respektojnë ligjin, që të kalojnë në zgjedhje më pak të dëmshme.

Për këto arsye, rregullimi i aspektit ligjor për produktet me avull është vendim më i mirë sesa përpjekja për t’i eliminuar ato. Qeveritë duhet të kontrollojnë me kujdes përbërësit që gjenden në kapsula, duke ndjekur shembullin e Bashkimit Evropian, i cili kufizon sasinë e nikotinës që mund të përmbajnë.

Qeveritë gjithashtu duhet të rregullojnë mënyrën e reklamimit të cigareve elektronike. Marketingu që synon fëmijët është padyshim i papranueshëm. Ndoshta, janë aromat me fruta që tërheqin veçanërisht të rinjtë. Paralajmërimet shëndetësore të qeverisë duhet të jenë të qarta dhe të matura. ‘Vaping’ mund të jetë një ves i rrezikshëm, por është shumë më pak vdekjeprurëse sesa djegia e duhanit.

Publikuar ne “The Economist” ne 12.9.2019:

https://www.economist.com/leaders/2019/09/12/dont-panic-about-e-cigarettes