The Beatles rikthehen me një realizim të papublikuar më parë

The Beatles kthehen ashtu siç nuk janë parë kurrë ndonjëherë. Dokumentari origjinal i Disney +, i drejtuar nga Peter Jackson, “Get Back” u krijua tërësisht nga pamje të paredaktuara dhe të papara më parë.Ai synon të paraqesë pamjen më intime dhe të sinqertë të dokumentuar ndonjëherë të procesit krijues të John, Paul, George dhe Ringo, si edhe të marrëdhënies së tyre.

I drejtuar nga një regjisor tri herë fituesi i çmimit Oscar, dokumentari është prodhuar ndër të tjera nga ajo që ka mbetur nga Fab Four: Paul McCartney, Ringo Starr, Yoko Ono Lennon dhe Olivia Harrison, si edhe pjesa tjetër e kastit teknik me emra të mëdhenj të kinemasë dhe muzikës.

Advertisement

Realizimi është një shpërthim nga e kaluara, që kthen pas në kohë, në seancat e regjistrimit të grupit në janar 1969, një moment kyç në historinë e muzikës.

Seritë tregojnë procesin krijues të Beatles teksa ata shkruajnë 14 këngë të reja, në përgatitje për koncertin e tyre të parë live në më shumë se dy vjet.

Përballë një kufiri kohor pothuajse të pamundur, lidhjet e forta të miqësisë së përbashkët të John Lennon, Paul McCartney, George Harrison dhe Ringo Starr vihen në sprovë, me momente qesharake, konfliktuale që, të para sot, të mallëngjejnë.

Filmi dokumentar është rezultat i studimit të pothuajse 60 orëve pamje të papublikuara, të xhiruara në 21 ditë nga Michael Lindsay-Hogg në vitin 1969 dhe më shumë se 150 orë regjistrime audio të padëgjuara, shumica e të cilave kanë mbetur të ruajtura në një kasafortë për më shumë se gjysmë shekulli.

Jackson është i vetmi person në 50 vjet që ka pasur akses në këtë thesar të The Beatles, i restauruar me mjeshtëri sot.

Dokumentaret prezantojnë, për herë të parë në versionin e plotë, performancën e fundit live të The Beatles si grup, koncertin e paharrueshëm në Savile Roë, në Londër, si edhe këngë dhe kompozime të tjera klasike të përfshira në dy albumet e fundit të grupit, “Abbey Road” dhe “Let It Be”.