Ashtu siç ishte paralajmëruar pasditen e së premtes, pak pas orës 10:00 rinisi mbledhja e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve për të vendosur në lidhje me imunitetin e deputetit Saimir Tahiri.

Fjalën e mori pala mbrojtëse, ku sipas avokatit të Tahirit, Artan Hajdarit, kërkesa e Prokurorisë është e pabazuar në ligj dhe pa prova.

Advertisement

“Imuniteti parlamentar është një çështje që është ngritur në një nivel tjetër për t’i dhënë garanci të mëdha deputetit në rast abuzimi nga pushtetet e tjera. Me ndryshimet e reja ligjore, Prokuroria është e detyruar në bazë të nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale, që flet për autorizimin, ka përcaktuar saktë se si bëhet kërkesa që paraqitet dhe duhet të shoqërohet me provat që e mbështesin. Kërkesa e Prokurorisë nuk ka asnjë provë, siç e kërkon Kodi”, deklaroi avokati Artan Hajdari.

Dy provat kryesore që e bazon Prokuroria kërkesën e saj për heqjen e imunitetit të Tahirit është akti i shitjes së makinës dhe dyshimi se ish-ministri ka udhëtuar me të akuzuarit me të njëjtin mjet. Avokati Hajdari kundërshtoi edhe këto. Pala mbrojtëse e Tahirit thotë se ka përkthyer të gjithë materialin prej 460 faqesh të drejtësisë italiane dhe në këtë material nuk ka asnjë indicie që tregon lidhje direkte, indirekte, aksidentale apo dyshime që lidhin ish-ministrin e Brendshëm me grupin kriminal në fjalë.

Ndërkohë, pas avokatit, fjalën e ka marrë dhe vetë Saimir Tahiri, i cili ka shpjeguar situatën dhe atë se çfarë kërkon nga prokuroria e organet përgjegjëse.

“Unë do jem ketu e nuk do leviz asnjë sekond derisa të dal e vërteta të hetohet të bëhet gjithçka që mendohet e drejte nga cilido organ për të dalë e vërteta. Nuk i përkas rracës politike që kur prokurori hetonte bëhej lavire, i përkas atij edukimi që respektoj këdo që mendon se unë duhet të nxjerrë një të vërtetë në dritën e diellit pa marrë përsipër të bëj politik me të. Do synoj që e vërteta të dalë në dritë, do kërkoj çdo provë aman do refuzoj deri sa të kem frymë çdo lloj politizimi të llumit të rrugës e të kujtdo tjetër. Përpjekja ime për drejtësi nuk është përulje. Jam i gatshëm të hetohem e të mbaj përgjegjësi, por unë kërkoj prova! Nuk mund të arresohem se dy banidtë thonë se unë marr 5 milion euro pasi unë nuk jam linjë kamionesh”, ka thënë ish ministri i Brendshëm.