Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku deklaroi dje se qytetarët shqiptarë kanë një çmim më të lartë të energjisë elektrike, madje dhe mbifaturim të saj.
Në një postim në Facebook, Tabaku shprehet se “Sot kemi një çmim më të lartë të energjisë elektrike. OSHEE e rilindur jo vetëm nuk dërgon faturën e dritave në shtëpitë e qytetarëve dhe abonentëve, siç ndodh në Pukë por akoma më keq ua mbifaturon energjinë në mënyrë flagrante”.
Tabaku pohon se: “Siç shihni shembullin e mëposhtëm, thuajse çdo faturë ka një mbifaturim 400-500 kilovat për familjarët dhe 1000-2000 kilovat për bizneset. Por nuk mbaron me kaq, duke qenë se të vjedhësh nuk është më turp, zonave rurale u përfshihet në faturën abuzive edhe 30 kilovat për ndriçim shkalle”.
“Më 18 shkurt duhet të jemi në shesh për të protestuar kundër tyre”, shkruan Tabaku duke sjellë edhe një faturë tatimore si argument për rritjen e cmimit të energjisë elektrike.