Surprizat e motit në ditët e para të dhjetorit, çfarë parashikojnë sinoptikanët

Ulja e temperaturave dhe i ftohti gati gati i acartë, priteshin! Jemi në prag dhjetori dhe sinoptikanët pohojnë se temperaturat e ulëta do të kulmojnë në fundjavë. Por kjo nuk do të zgjasë për shumë, sepse fillimi i javës së parë të muajit do të sjellë ndryshime të motit.
Dita e sotme ka shënuar rënie të ndjeshme të temperaturave duke bërë që në zonat malore, moti të shënojë -3, -4 gradë. Parashikohet një tjetër rënie ditën e premte, ku priten që temperaturat të ulen deri në -7 gradë në zonat malore”, – shprehet meteorologia Lajda Porja.
Sipas parashikimeve, edhe këtë dimër temperaturat do të jenë disa gradë mbi mesataren shumëvjeçare.
Ndërsa ditët e para të dhjetorit, moti do të ketë sërish surpriza: “Parashikohet që të kemi ndryshim të situatës atmosferike duke filluar që nga data 3-4 dhjetor ku do të kemi sërish rikthimin e temperaturave më të larta, pasi pritet që të kemi rritje graduale nga dita në ditë të dy ekstremumeve”, – vijon Porja./Living