Pas eksperimentit të vitit të kaluar, kur “Derby della Madonnina” u luajt pak pas mesdite, në orën 12:30, supersfida milaneze e këtij sezoni do të rikthehet në mbrëmje, të dielën e 15 tetorit në orën 20:45.

Liga italiane e futbollit “Lega Calcio” ka komunikuar kalendarin e ndeshjeve, atyre që do të luhen të premteve, të shtunave dhe të dielave, deri në javën e 17 të kampionatit të Serie A, pas hedhjes së shortit.

Advertisement

Pas ndërprerjes së kësaj jave për shkak të ndeshjeve kualifikuese të Botërorit, kampionati italian rifillon më 9 shtator në orën 18, kur Juventusi të përballet me Chievon në orën 18:00 për javën e tretë, ndërsa në po të njëjtën ditë, në orën 20:45, Roma do të luajë në transfertën xhenoveze, kundër Sampdorias. Të dielën, Interi luan në mesditë ndaj Spalit në “San Siro”, ndërsa në mbrëmje do të shohim Bologna-Napoli në orën 20:45.

Nga ana tjetër, derbi i Torinos është programuar për t’u luajtur më 23 shtator në orën 20:45, ai i Romës të shtunën e 18 nëntorit në orën 18:00, ai i Xhenovës të shtunën e 4 nëntorit në 20:45, ndërsa derbi i Veronës më 22 tetor në orën 12:30.

Një detaj kurioz është fakti që sfida Napoli-Juventus do të luhet të premten e 1 dhjetorit, në 20:45. Ndërsa të hënën e kësaj jave të Serie A do të luhen plot 8 ndeshje. Sa u përket ndeshjeve që do të luhen në mesjavë, të martave do të luhen dy ndeshje, më 19 shtator Bologna-Inter dhe më 24 tetor Inter-Sampdoria, me ndeshjet e tjera që luhen të mërkurave.