Princi William dhe Kate Middleton tërhoqën vëmendjen në Mumbai të Indisë, ku morën pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Earthshot Prize”. Çifti mbretëror u shfaq në tapetin e gjelbër të eventit, duke spikatur me elegancën dhe veshjet e zgjedhura për këtë mbrëmje të veçantë.
Mbrëmja, e organizuar në Jio World Convention Centre, mblodhi rreth 5 mijë të ftuar, mes tyre personalitete të njohura nga arti, sporti dhe muzika. “Earthshot Prize”, një nismë e krijuar nga Princi William, synon të promovojë zgjidhje inovative për mbrojtjen e planetit.

Vëmendjen kryesore për stilin e saj e mori Princesha Kate, e cila zgjodhi një veshje tradicionale indiane të modelit Anarkali, krijuar nga stilistja Mahima Mahajan. Fustani në ngjyrë të kuqe të errët ishte realizuar me mëndafsh të punuar me dorë dhe zbukurohej me qëndisje delikate e ornamente të arta.
Një detaj tjetër që nuk kaloi pa u vënë re ishte kompleti i bizhuterive me diamante dhe smeralde. Kate mbante një gjerdan dhe vathë që dikur i përkisnin Mbretëreshës Elizabeth II, duke rikthyer në vëmendje disa prej aksesorëve më të veçantë të koleksionit mbretëror.

Edhe Princi William iu përshtat atmosferës së mbrëmjes, duke zgjedhur një xhaketë tradicionale indiane Bandhgala, të dizajnuar nga Manish Malhotra, me kopsa artizanale dhe detaje të punuara me dorë.
Çifti u fotografua edhe në momente të përzemërta, ku William qëndronte me krahun rreth belit të bashkëshortes. Më pas, ata përshëndetën të ftuarit dhe takuan Devendra Fadnavis, kryeministrin e shtetit të Maharashtra.


