Agresori 40-vjeçar, që sulmoi me çekiç efektivët e policisë përpara Katedrales “Notre-Dame” në Paris, është identifikuar si Farid Ikken, me origjinë algjeriane, i cili vazhdonte studimet e doktoraturës për Shkenca Sociale në Universitetin e Lorraine (Lorenës).

“Me vete ai kishte edhe dy thika, – shpjegojnë forcat e rendit, që theksojnë gjithashtu se – agresori është qëlluar në të dy këmbët, e jo në gjoks siç u raportua më parë”.

Advertisement

I martuar me një suedeze, ai jetonte në veri të kryeqytetit francez. Në banesën e sulmuesit, policia thuhet të ketë gjetur një video, ku Ikken betohej për besnikëri ndaj Shtetit Islamik, e ku tregohej edhe qëllimi i kryerjes së atentatit.

Përpara se të godiste policin, 40-vjeçari ka thirrur me të madhe: Kjo është për Sirinë!

Deri tani, megjithatë, asnjë grup xhihadist nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë e incidentit. Episodi ngjalli panik mes njerëzve në zonë.

“Kishte shumë njerëz në shesh. Nuk mund t’iua them numrin e saktë, por ishte plot. Ishte e frikshme ta shikoje atë skenë. U trembëm të gjithë dhe nisëm të vraponim”, tha një kalimtar.

Franca është tronditur prej gati dy vitesh e gjysmë nga një seri e pashembullt sulmesh terroriste, prej të cilave kanë gjetur vdekjen në total gati 240 vetë, e jo rrallëherë shënjestra kanë qenë forcat e rendit. Në mesin e muajit prill, një polic u vra nga një atentator në mesin e shëtitores së famshme “Champs-Élysées”.