Aksidente automobilistike në seri, transport i çorientuar, shkolla të mbyllura apo ndërprerje e energjisë elektrike, stuhia e borës është zhvendosur në verilindje të SHBA-së kryesisht në pjesën lindore të Kanadasë, ku gjithçka mbetet e paralizuar ditën e sotme.

Stuhia e shoqëruar nga erëra të forta me intensitet mes 100 dhe 140 kilometra në orë ka pushtuar që nga e marta një korridor mes jugut të Kebekut dhe veriut të shtetit të Nju Jorkut, duke paralizuar veprimtaritë e përditshme deri në provincat në brigjet e Atlantikut.

Advertisement

Deri në 60 centimetra dëborë është grumbulluar në disa rajone, mes 30 dhe 40 centimetra nga Montreali në Kebek, ndërsa bora vijon me të njëjtin intensitet të bjerë ditën e sotme përgjatë lumit Saint-Laurent, Gaspésie dhe më në lindje në Skocinë e Re, sipas të dhënave nga shërbimet meteorologjike të Kanadasë.

Pas disa aksidenteve automobolistike, autostradat vijojnë të qëndrojnë të mbyllur sot ku më shumë se 300 makina kanë mbetur të bllokuara për gati 12 orë në afërsi të aeroportit të Montrealit.