Stilistja britanike Stella McCartney dhuroi spektakël në ditën e parafundit të javës se modës në Paris, me një varietet ngjyrash dhe modele që kërcenin.
Si zakonisht një numër spektatoresh të famshëm ishin mbledhur për të ndjekur shfaqjen mbresëlënëse në pallatin e operas, Garnier, mes tyre kryeredaktorja e revistës “Vogue”, Anna Wintour dhe vajza e princeshës Karolina e Hanoverit.
Modelet parakaluan me veshje shik e të çrregullta që përcillnin një fryme relaksi e njëkohësisht elegance. Koleksioni dominohej nga ngjyrat e zbehta, e përfshinte kominoshe, xhaketa të gjera, kostume me katrore, materiale pambuku e lëkure të rreme.
Momenti më interesant ishte pjesa përmbyllëse e sfilatës, kur holli i pallatit Garnier u kthye në një skenë për modelet që kërcenin nën ritmet e këngës “Faith” të George Michael, në atë që u duk si një homazh për artistin e ndarë nga jeta.
Stella McCarteney, vajza e ish-pjesëtarit të grupit the “Beatles”, Paul Mc Cartney lançoi shtëpinë e saj të modës në 2001-shin dhe e shfaqi koleksionin e saj të parë në Paris.