Spanja ka rihapur zyrtarisht industrinë e turizmit, duke hequr kufizimet për vizitorët e huaj nga Bashkimi Evropian (BE), Britania e Madhe dhe vendet e zonës Schengen.
Të gjithë turistëve që do të mbërrijnë në Spanjë, do t’iu matet temperatura në aeroport dhe do t’u merren të dhëna, nëse janë testuar më parë pozitivë me Covid-19 dhe detaje të tjera personale. Hapja e kufijve vjen teksa Spanja ka shënuar fundin e gjendjes së emergjencës pas më shumë se 3 muajsh. Po ashtu janë hapur edhe plazhet, të cilat mund të frekuentohen nga të gjithë turistët.
Spanja vendosi masat e izolimit dhe karantinën e detyruar në mes të muajit mars dhe është një ndër vendet që u prek më shumë nga koronavirusi në Evropë. Vendi iberik regjistron mbi 245 mijë të prekur me Covid-19 dhe mbi 28 mijë viktima. Megjithatë në muajin maj masat izoluese nisën të lehtësohen, nderkohë që numri i të infektuarëve dhe viktimave ra ndjeshëm.
Personat që do të vizitojnë Spanjën do të njihen me protokollet e sigurisë që duhet të zbatojnë, në momentin kur mbërrijnë në këtë shtet. Maskat duhet të vendosen me detyrim në hapësirat publike ku distancimi social nuk është i mundur.
Spanjën e vizitojnë në vit rreth 80 milionë turistë dhe kjo industri përbën 12% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Turistët e parë që kanë vizituar vendin sot janë nga Britania e Madhe.