Sot bëhen 15 vite qëkur Kosova u shpall shtet I pavarur, Sovran dhe demokratik, një lëvizje kjo që erdhi pas një rrugëtimi të gjatë dhe të dhimbshëm për qytetarët e saj.

15 vite më parë, në 17 shkurt të vitit 2008 në orën 15:39, Kosova u shpall shtet i pavarur, Sovran dhe demokratik.

Ky ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë të dhimbshëm dhe të vështirë për qytetarët e Kosovës edhe pse sot mungon ai që e shqiptoi deklaratën e pavarësisë dhe 3 të tjerë, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli.
Për vite me radhë populli i Kosovës vuajti pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit.
U desh Lufta Çlirimtare që në Kosovë të vendoseshin trupat paqeruajtëse ndërkombëtare, moment kur vendi nisi të administrohej nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara – UNMIK dhe Institucionet Vetëqeverisëse të Kosovës: Kuvendi, Presidenti dhe Qeveria.

Advertisement

Sot Pavarësia e Kosovës njihet nga mbi 100 shtete por gjithnjë kjo ka qenë një çështje e diskutueshme.
Serbia nga ana e saj kërkonte mbështetje se sipas saj Deklarata e Pavarësisë ë Kosovës ishte e paligjshme.
Por më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përmes një Vendimi Këshillëdhënës rikonfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.
Pas konsultimeve gjithëpërfshirëse, më 2 shkurt të vitit 2007 i dërguari special ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit te pavarur. Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt të vitit 2008.

“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”, thuhej në deklaratën e nënshkruar nga deputetët pjesëmarrës.
Deklarata e Pavarësisë së Kosovës u miratua në mënyrë unanime prej 109 deputetësh të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës. Njëmbëdhjetë deputetë përfaqësues të pakicës serbe bojkotuan procedurën e votimit. Nëntë përfaqësues të pakicave të tjera etnike ishin pjesë e kuorumit.

Pas një kërkese nga Rusia, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbajti një sesion urgjent në pasditen e 17 shkurtit ndërsa më 18 shkurt 2008 presidenca e BE njoftoi se pas një dite bisedimesh të ashpra midis ministrave të jashtëm, vendet anëtare ishin të lira të vendosnin individualisht nëse do ta njihnin pavarësinë. Njohja e fundit, sipas të dhënave në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ka ardhur nga Izraeli më 1 shkurt të vitit 2021.