Konferenca e sigurisë në Mynih, Zelenksy kërkon dërgim të shpejtë të armëve për Ukrainën!

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, përsëriti thirrjet për dërgimin sa më të shpejtë në Kiev të armëve perëndimore, duke thënë se Rusia nuk duhet të lejohet që të blejë kohë për agresionin e saj, teksa forcat ukrainase janë përballur me sulme të shumta në të gjithë linjën e frontit.

“Ne duhet të përshpejtojmë. Ne na duhet shpejtësi – shpejtësi në marrëveshje, shpejtësi në dërgesa…. shpejtësi në vendime për të kufizuar potencialin rus”, tha Zelensky në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Ai tha se ndërsa shtetet perëndimore po debatonin lidhur me dërgimin e tankeve në Ukrainë, presidenti rus, Vladimir Putin, po mendonte për mënyrat se si ta “ngufasë” fqinjin e Ukrainës, Moldavinë.“Është e dukshme që Ukraina nuk do të jetë ndalesa e tij e fundit.

Advertisement

Ai do të vazhdojë lëvizjen e tij deri në fund… përfshirë edhe të gjitha shtetet e tjera që në një kohë ishin pjesë e bllokut sovjetik”, tha Zelensky. Në konferencë po marrin pjesë liderët e Francës dhe Gjermanisë, por edhe nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe zyrtarë të tjerë. Gjatë konferencës, kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se mbështetja e shtetit të tij për Ukrainën “është e dizajnuar që të jetë afatgjatë”.

Ata që mund të dërgojnë tanke luftarake, duhet ta bëjnë tani”, tha Scholz, duke shtuar se po bëhet “fushatë intensive” që aleatët të dërgojnë tanke në Ukrainë, ashtu siç kishin premtuar muajin e kaluar. Ndërsa, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se është jashtëzakonisht e rëndësishme që aleatët perëndimorë të rrisin ndihmën ushtarake në mënyrë që Ukraina të mund të nisë një kundërofensivë kundër Rusisë. Ukraina varet nga armët perëndimore për të ndalur synimet e Presidentit Putin për të zgjeruar kontrollin mbi territorin ukrainas. Pasi mori tanke dhe municione nga Perëndimi, Kievi shpreson të marrë edhe avionë luftarakë, por disa shtete hezitojnë ta furnizojnë Ukrainën me to.