Skemë mashtrimi me ilaçet, dërgohet për gjykim “Omega Pharma”

Prokuroria e Tiranës dërgoi për gjykim 4 shtetas dhe subjektin “Omega Pharma” të implikuar në një skemë mashtrimi me ilaçet. Sipas prokurorisë së kryeqytetit, i pandehuri Nadir Çausholli dhe 3 punonjës të kësaj kompanie kanë përfituar në mënyrë të paligjshme shumën e 2.2 milionë eurove.
Përmes falsifikimit të dokumentave dhe mashtrimit, të pandehurit, gjatë viteve 2013-2015, kanë krijuar një skemë mashtrimi duke abuzuar me dy lloj ilaçesh: insulinë dhe ketosteril. Sipas hetimit, “Omega Pharma” ka shpërndarë receta false tek farmaci të ndryshme, të cilat nga ana e tyre i kanë paraqitur recetat për rimbursim pranë Fondit Rajonal të Kujdesit Shëndetësor.
Nën gjykim për këtë dosje përfunduan edhe Arjola Piperaj, Laureta Kushova  dhe Blerina Qatja.
Kjo është çështja e dytë pas një hetimi të gjerë të nisur nga Prokuroria e Tiranës, që kërkoi gjatë javës dënimin për 7 të implikuar të tjerë, të dyshuar se i kanë shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej 56 milionë lekësh.

Advertisement