Skandali i votimit në Eurovision, Shqipërisë do t’i hiqen pikë të tjera

Në natën finale të Eurosongut, përfaqësuesja jonë Elhaida Dani është renditur në vendin e 17-të, me 34 pikë, por rezultati mund të shkojë edhe më keq se kaq.
Menjëherë pas votimit të shteteve pjesëmarrëse në Eurosong, BBC ka zbuluar skandalin e votimit të shteteve fqinje të Shqipërisë, Maqedonia dhe Mali i Zi, të cilat kanë votuar për Elhaida Danin me 12 dhe 10 pikë.
Sipas BBC-së, votimi i Maqedonisë dhe Malit të Zi ka pasur parregullsi.
“Rezultatet e jurisë së Maqedonisë dhe Malit të Zi janë përjashtuar pas konsultimit me “Priceëaterhouse Coopers”, vëzhguesi i pavarur i festivalit, me kryetarin dhe supervizorin e grupit. Përjashtimi i këtyre dy jurive do të shqyrtohet në qershor”, thuhet në deklaratën e bërë publike me këtë rast.
Lajmi u raportua nga bordi organizues i festivalit dhe kishte të bënte me anulimin e pikëve të dhëna nga Maqedonia dhe Mali i Zi, për shkak se këto dy shtete kanë thyer rregullat që përcaktojnë se pikët përfundimtare të një shteti përcaktohen 50 për qind nga votimi i publikut dhe 50 për qind nga juria profesioniste e atij shteti.
Por mësohet se fqinjët tanë, të cilët na votuan njëri me 12 pikë dhe Mali i Zi me 10 pikë nuk kanë pasur një juri profesioniste, por kanë dhënë pikët e tyre vetëm nga rezultati i televotimit.
Për këtë arsye pritet që vendeve të votuara nga këto dy shtete t’u hiqen pikët, pa cënuar fitoren e Suedisë.
Një mbledhje tjetër do të mbahet në qershor dhe do të vendoset zyrtarisht fati i pikëve të votimit nga Maqedonia e Mali i Zi.

Advertisement