Kryqi i Kuq e përshkruan si një krizë humanitare, media kritikon kushte të denja për botën e tretë, sistemi i shëndetësisë publike NHS, krenaria britanike që prej vitit 1948, po kalon një krizë të pazakontë këtë dimër.

Një foto e të përditshmes “Daily Mirror” është duke sunduar rrjetet sociale. Ajo tregon Jackun e vogël, 22 muajsh, të veshur vetëm me pelena. Për shkak të mungesës së krevatëve, ai fle mbi një batanije të vendosur mbi dy karrige plastike të kuqe. Pavarësisht dyshimeve për meningjit, Jack priti pesë orë në urgjencë para se të shihte një mjek.

Advertisement

Si çdo dimër, “National Health Service” është në prag të dështimit sipas mjekëve dhe organizatave spitalore. Sistem shëndetësie falas, punëdhënësi i pestë në rang botëror (1,5 milionë punonjës) është një institucion i shenjtë. “Besimi ynë kombëtar”,- deklaronte ish-ministri Nigel Lawson. NHS-ja përfaqëson një sfidë politike thelbësore që përcakton zgjedhjet. Mbështetësit e Brexit e kishin bërë një nga temat e tyre kryesore të fushatës, duke premtuar që të mbushin arkat e NHS-së me paratë që nuk do t’i dërgojnë në Bruksel.

Por, NHS-ja është gjithashtu një model në krizë, i përballur me plakjen e popullsisë, me rritjen demografike dhe politikat shtrënguese. Mjafton alarmi më i vogël, si epidemia e gripit këtë vit, për të bllokuar sistemin. Që prej vjeshtës koha e pritjes në urgjencë ka arritur pikun. 23 për qind e pacientëve kanë pritur më shumë se katër orë para se të shohin një mjek.

Dy pacientë kanë vdekur mbi një barelë në koridorin e spitalit “Worcestershire Royal Hospital” këtë javë. Kudo mungojnë krevatët, ambulancat, barnat.