Nëse në objektivat e vitit të ri parashikohet edhe një rritje page në 2019-n, ju duhet të përgatiteni për një betejë të vështirë. Këtë vit, ekspertët kanë përsëritur vazhdimisht, duke theksuar se, mënyra më e mirë për të përfituar një rritje page është gjetja e një pune të re.
Por jo të gjithë duan ta lënë punën e tyre. “Shumë njerëz nuk janë të gatshëm të ndryshojnë punë për një sërë arsyesh, si për shembull sigurimet shëndetësore, mjedisi i punës, marrëdhënie me kolegët etj.”, – thotë Brian Kropp, zv.president i kompanisë së kërkimit Gartner. “Ju keni përgjegjësinë të kuptoni tregun e punës nga kjo perspektivë”.
Pikërisht duke u nisur nga këto dinamika, ndiqni këto tre hapa për të përfituar një rritje page në 2019, duke mos ndryshuar kompaninë tuaj.
1.Kapërceni objektivat
Përpara se t’i kërkoni shefit tuaj rritje page, duhet të kuptoni se cilat janë parametrat që përdor ai për të përcaktuar suksesin. Mënyra më e mirë për të marrë rritje page, është që ju të kapërceni pritshmëritë – thotë Marc Cenedella, themelues dhe CEO i Ladders. “A e keni pyetur drejtuesin tuaj se cilat janë objektivat e tij për 2019-n? Dhe si mund ta ndihmoni për t’i arritur ato? Përcaktimi dhe kapërcimi i objektivave ambicioze u jep punonjësve pushtetin negociues kur kërkojnë rritje page. Ndër të tjera, masat sasiore të suksesit mund ta shndërrojnë një bisedë të sikletshme në të thjeshtë dhe direkte.
2.Njihni vlerën tuaj
Kropp thotë se hapi tjetër për të arritur rritje page në 2019-n është të kuptoni dhe t’i bëni të ditur shefit tuaj se sa vlen një person me aftësitë dhe përvojën tuaj në tregun e punës. “Është e nevojshme të bëni një bisedë me drejtuesin n tuaj për të kuptuar nëse jeni mjaftueshëm i shpërblyer në bazë të vlerave të tregut”. Bëni një kërkim online dhe shikoni ofertat e punës për pozicionet që kërkojnë aftësitë dhe përvojën tuaj për të kuptuar se sa vleni në të vërtetë. Nëse doni të kuptoni se sa punëdhënës të tjerë janë të gatshëm t’ju paguajnë, aplikoni në pozicione të tjera dhe shihni se sa ofrojnë.
Nëse merrni një ofertë për punë, ju duhet t’ia bëni të ditur drejtuesit tuaj, duke i theksuar se dëshironi të qëndroni në kompaninë aktuale. “Mënyra më e mirë për ta transformuar një ofertë pune në një rritje page është ta përballoni atë me kokën lart”.
3.Shprehni mendimin tuaj
Hapi i fundit i pashmangshëm për të përfituar rritje page është të bëni një bisedë me shefin tuaj sa më shpejt të jetë e mundur nëse doni të përfitoni nga tregu aktual i punës. “Është e nevojshme të bëni një bisedë menjëherë”, – thotë Kropp. Truku për ta bërë këtë bisedë është t’i paraqisni në mënyrë të qartë faktet drejtuesit tuaj. “Ju nuk duhet të shkoni në takim dhe të thoni ‘unë dua një rritje page 10% ose ndryshe do ta lë punën’”, shpjegon Kropp.
“Por ju duhet të jeni në gjendje të bëni një bisedë që tingëllon pak a shumë kështu “kam punuar vërtet shumë. Në tregun e punës, paga për këtë pozicion ka këtë vlerë. Unë dua të vazhdoj të punoj në këtë kompani, por ndihem i nënpaguar. Çfarë mund të bëjmë që ta zgjidhim këtë problem?”.
*Abigail Hess
Burimi: CNBC
/Monitor/