Shuhet një tjetër gjeni…

Aktori fitues i çmimit Oscar dhe komediani 63 vjeçar Robin Williams ka ndërruar jetë. Ka qenë një telefonatë e kryer në 911 që ka raportuar për gjetjen e një mashkulli pa ndjenja në rezidencën e tij dhe me mbërritjen në vendngjarje është konfirmuar se bëhej fjalë pikërisht për Robin Williams. Për herë të fundit aktori është parë gjallë në rezidencën ku jetonte me të shoqen më 10 Gusht rreth orës 10:00 dhe dje (11 Gusht 2014) u gjet pak përpara telefonatës që u bë tek 911. Organet investiguese fillimisht mendojnë se bëhet fjalë për vetëvrasje si pasojë e asfiksisë, por investigimet do të vijojnë deri në përpilimin e raportit përfundimtar zyrtar.

Mara Buxbaum, publicistja e Williams ka deklaruar për The Hollywood Reporter: “Robin Williams ndërroi jetë këtë mëngjes. Ka luftuar me depresionin e ashpër këto kohët e fundit. Kjo është një humbje tragjike e papritur. Familja ju kërkon që të respektoni privatisëninë e tyre teksa përballen me këtë kohë të vështirë”.

Advertisement

Ndërkohë bashkëshortja e të ndjerit ka shkruar: “Këtë mëngjes, unë humba bashkëshortin dhe mikun tim më të mirë, ndërsa bota humbi një nga artistët e saj më të dashur dhe një qenie njerëzore të mrekullueshme. Jam zemërthyer. Si familje e Robin do t’ju kërkoja privatësi gjatë këtij pikëllimi të thellë. Ashtu sikurse çdonjëri prej jush e kujton, nuk do të donim që të përqendroheshit tek vdekja, por tek momentet e panumërta të gëzimit dhe buqëqeshjet që ai u ka dhuruar miliona njerëzve”.

Williams, ka qenë katër herë kandidat për të fituar një çmim Oscar e në fakt fitoi një të tillë në katëgorinë e BEST SUPPORTING ACTOR për rolin e një psikologu të zgjuar në filmin “Good Will Hunting”. Së fundmi ai ishte pjesë e komedisë “The Crazy Ones”, një serial i transmetuar në CBS për vetëm një sezon. Projekti i tij i radhës do të ishte “Night at the Museum: Secret of the Tomb”, filmi i tretë i triologjisë që do të dalë nëpër kinema më 19 Dhjetor.