Shtyhet mbledhja e Këshillit për Mandatet, Doshi paraqet raport shëndetësor

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin u mblodh dje nën drejtimin e Nënkryetarit të Kuvendit, Vangjel Dule në vijim të shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për dhënie autorizimi për arrestimin e deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku.Në fillim të mbledhjes z. Dule bëri me dije se z. Doshi ka depozituar një kërkesë nëpërmjet të cilës njofton se e ka të pamundur të marrë pjesë në mbledhje për arsye shëndetësore dhe shprehej se brenda dy ditësh shpreson të jetë i aftë për të marrë pjesë në punimet e mbledhjes dhe për t’u njohur me akuzat e Prokurorisë së Përgjithshme.
Pas diskutimeve anëtarët e këshillit vendosën të pranojnë kërkesën e deputetit Doshi dhe ranë dakord që mbledhja të vijojë ditën e mërkurë në orën 18.00.
Ndërkaq pas përfundimit të mbledhjes, deputeti demokrat Eduard Halimi tha se opozita ka kërkuar që mbledhja e rradhës të bëhet me praninën e medias si edhe ripërsëriti kërkesën e bërë që prej tre javësh për heqjen e mandatit të deputetit Kokëdhima.
“Lidhur me çështjen e trasnparencës u arrit në konkluzionin se seanca e radhës që do të jetë ditën e mërkurë, do të jetë në prani të medias. Ndërsa për kërkesën tjetër, për Kokëdhimën, nuk morëm përgjigje për të qënë në rendin e ditës edhe çështja tjetër pasi nënkryetari i Kuvendit do ta këshillojë edhe njëherë më stafin. Pra nuk morëm përgjigje.”, ka thënë deputeti Halimi.

Advertisement