Transparency International (TI) publikoi të mërkurën rezultatet e raportit global për perceptimin e korrupsionit. Në raport, ku janë përfshirë 176 shtete, Shqipëria renditet e 83-ta në botë sa i takon perceptimit të publikut për korrupsionin në administratë. Në një sistem pikëzimi nga 0 (që tregon vendet shumë të korruptuara) në 100 (që tregon vendet pa korrupsion), Shqipëria figuron me 39 pikë. Ky tregues e rendit vendin tonë mes shteteve ku perceptimi për nivelin e korrupsionit është mjaft i lartë te publiku.
Nga vendet e rajonit Kosova renditet e 95-ta me 36 pikë, Maqedonia me 37 pikë dhe Bosnja me 39 pikë. Serbia rezulton me 42 pikë, ndërsa Mali i Zi me 45 pikë.
Krahasuar me një vit më parë, Shqipëria dhe Kosova kanë shënuar përmirësimin më të madh në rajon, duke u ngritur me tre pikë secila.
Në 2015-n Shqipëria renditej në vendin e 88-të në botë, kurse në vitin 2014 në vendin e 110.
Raporti i TI kryesohet nga Danimarka dhe Zelanda e Re, ku perceptimi për korrupsionin është mjaft i ulët nga publiku. Pikëzimi për këto vende është 90, që do të thotë se qytetarët mendojnë se ka shumë pak ose thuajse aspak korrupsion.
Më pas, vijnë vendet nordike dhe Zvicra ku nuk ka korrupsion. Gjermania renditet në vendin e 10-të me 81 pikë, ndërsa SHBA e 18-a me 74 pikë.