Sot, ora 20:45, Shqipëria do të luajë një nga ndeshjet më historike në futbollin e saj: gjysmëfinalen e “Play Off”-it për Botërorin kundër Polonisë në stadiumin ‘PGE Narodowy’ të Varshavës. Për herë të parë në histori, kuqezinjtë luajnë me shanset reale për të marrë pjesë në eventin më të madh të futbollit në botë, duke tentuar të shkruajnë faqet më të ndritshme të historisë sonë sportive.
Polonia vjen si skuadër e fortë dhe një nga më të konsoliduarat e momentit, por Shqipëria ka treguar shpesh se mund të befasojë: mjafton të kujtojmë fitoren historike në Leskovc kundër Serbisë, 0-1, që ndezi ëndrrën për Botërorin. Tani, për të vazhduar këtë “ëndërr amerikane”, kuqezinjtë duhet të përsërisin një Leskovc të dytë, këtë herë në Varshavë, ku atmosfera pritet të jetë krejt ndryshe dhe sfiduese.
Stadiumi me 58,580 vende do të jetë pothuajse i mbushur 95% me tifozë polakë, ndërsa Shqipëria ka siguruar vetëm 5% të kapacitetit, bileta të cilat u shiten në pak orë. Ndeshja nis në orën 20:45, dhe nëse përfundon në barazim, do të ketë shtesa dhe, nëse është e nevojshme, penallti që do të vendosin fatin e kuqezinjve.
Moti do të jetë relativisht i favorshëm për futbollin, me temperaturë rreth 7 gradë Celsius në momentin e ndeshjes, pa reshje shiu gjatë orëve të mbrëmjes.


